12 QERSHORI- Dita e Çlirimtarëve të Kosovës

Lulëzim ETEMAJ

20 vite më parë, në ditën e 78-të të sulmeve ajrore të NATO-s kundër forcave ushtarake dhe objekteve strategjike të Serbisë, në mbrëmjen e 9 qershorit 1999 në Kumanovë u nënshkrua Marrëveshja Teknike- Ushtarake. Milosheviqi dhe qeveria e tij, tanimë me barrën e rënduar të gjenocidit në shpinë, pranuan kapitullimin në Kosovë. Ish-sekretari gjeneral i NATO-s, Javier Solana, me këtë rast shprehet prerazi: “NATO do të suspendojë sulmet ajrore sa më shpejtë që të verifikohet respektimi i armpushimit dhe fillimi i tërheqjes së forcave ushtarake serbe”.

Kështu “mbaroj një luftë e cila ishte e drejtuar kundër vlerave perëndimore dhe civilizimit evropian…Mbaroj një luftë e cila me siguri Kosovën do ta kishte zbrazur nga popullata e saj autoktone shqiptare dhe do të kishte destabilizuar të gjitha vendet fqinje”, shkruan në ditarin e tij ish- ministri gjerman i mbrojtjes, Rudolf Scharping.

Për t’u përballur me situatën e pas tërheqjes së trupave ushtarake dhe policore serbe nga Kosova, ministrat e mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s pasdite arritën pëlqimin dhe i dhanë dritën e gjelbërt trupave paqësore ndërkombëtare, KFOR. Më 10 qershor 1999, Këshilli i Sigurimit i OKB-së aprovon dërgimin e trupave të KFOR-it në Kosovë, dhe e ngarkon e OKB-në, përmes Rezolutës 1244, me ndërtimin e administratës së përkohshme vendore.

Më 12 qershor fillon marshimi i trupave paqësore ndërkombëtare në Kosovë. Një pjesë e trupave gjermane, të vendosura në Maqedoni, stacionohet në kufi me Shqipërinë, ndërsa një numër i tyre së bashku me amerikanët dhe britanikët përmes Shkupi marshojnë në Prishtinë. Të tjerët përmes rrugëve të vështira malore të Shqipërisë arrijnë në Prizren. Aeroporti i Prishtinës tanimë ishte futur nën kontrollin e forcave ruse, që ishin të stacionuara në Bosnjë në përbërje të SFOR-it, të cilat kishin filluar marshimin në Kosovë që më natë. Ushtarët e Aleancës së NATO- s, ashtu si dhe ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, u pritën nga qytetarët shqiptarë të Kosovës si çlirimtarë; me duartrokitje, buqeta lulesh, përqafime e lot gëzimi e shprese në sy. Trupat paqësore ndërkombëtare, në përpjekje të krijimit të rendit dhe qetësisë, shënojnë kontakte të ngushta me komandantët e UÇK-së. Ndërsa shqiptarët e dëbuar me dhunë nga forcat serbe prej Kosovës, të strehuar me zemërgjerësi shembullore në Shqipëri, si dhe ata në Maqedoni, s’mund t’i ndalë asgjë, as vërejtjet për rreziqet nga fushat e minuara përgjatë brezit kufitar, për t’u kthyer sa më parë në shtëpitë e tyre prej nga i kishte dëbuar dhuna shtetërore serbe. Për t’u kthyer në Kosovën e lirë.

Tashmë kishte aguar dita e re, dita e parë e epokës së shumëpritur ndër breza nga shqiptarët- epokës së lirisë së Kosovës.