Bedri Istrefi: Ka ardhur koha që Telekomi të marrë mbështetjen e merituar shtetërore

Kryeshefi ekzekutiv i Telekomit të Kosovës, Bedri Istrefi, ka ftuar deputetët, të cilët sot do të diskutojnë për Telekomin, që të arrijnë të zhvillojnë debat konstruktiv dhe të reflektojnë pozitivisht rreth gjendjes në të cilën ndodhet Telekomi i Kosovës.

Ai përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se Telekomi i Kosovës i ka dhënë shtetit të Kosovës qindra miliona euro në formën e dividendës ndër vite, dhe sipas tij tani ka ardhur koha që kjo ndërmarrje publike të marrë mbështetjen e merituar shtetërore, pasi që është aset strategjik nacional.

Postimi i plotë Bedri Istrefit:

Meqenëse sot Kuvendi i Republikës së Kosovës mban seancë të jashtëzakonshme, ftoj të gjithë deputetët që të arrijnë të zhvillojnë debat konstruktiv dhe të reflektojnë pozitivisht rreth gjendjes në të cilën ndodhet Telekomi i Kosovës, dhe jam poashtu i bindur se të gjithë së bashku do të mund të gjejmë zgjidhjen e duhur për problemet e grumbulluara, duke u fokusuar racionalisht në strategjinë e daljes.

Gjatë këtyre ditëve i kam informuar të gjitha institucionet e vendit, përfshirë Kryeministrin Haradinaj, MZHE-në, Komisionin Hetimor Parlamentar dhe deputetë të partive të ndryshme politike rreth situatës aktuale në Telekomin e Kosovës dhe mundësisë së arritjes së një qëndrueshmërie dhe stabiliteti financiar.

Telekomi i Kosovës i ka dhënë shtetit të Kosovës qindra miliona euro në formën e dividendës ndër vite dhe tani ka ardhur koha që kjo ndërmarrje publike të marrë mbështetjen e merituar shtetërore, pasi që është aset strategjik nacional.