Drejtori i ri i Arsimit në Prizren, refer i futbollit

Nisma Socialdemokrate ka vendosur Gani Gërmizajn në krye të Drejtorisë së Arsimit në Prizren.

Ai zëvendësoi Skender Susurin i cili sot dha dorëheqje pasi sipas tij partia nuk po i beson. Ai ka thënë se ka pasur presion lidhur me konkurse për punë në sektorin që e udhëheq.

Kryetari i Prizrenit Mytaher Haskuka, njoftoi se emri i ri i propozuar nga Nisma Socialdemorkate është Gani Gërmizaj.

Haskuka i pyetur se kush është Gani Gërmizaj, tha se për këtë do të mbajnë një ditë tjetër konferencë për të prezantuar propozimin e ri Për Drejtor të Arsimit në Prizren.

Kallxo.com, mëson se kandidati i propozuar nga Nisma- Dega në Prizren,  Gani Gërmizaj, është refer i futbollit.

Kallxo.com ka kontaktuar edhe Federatën e Futbollit të Kososovës, saktësisht Përparim Hasani i cili është kryetar i komisionit për gjyqtarë, por i njëjti deri në publikim e këtij lajmi ka qenë i pa qasshëm.

Një kërkim i thjeshtë në Facebook, në llogarinë e tij private, Gani Gërmizaj shihet edhe në shoqërinë e Fatmir Limajt, kryetari të partisë dhe në shoqërinë e Ministrit Endrit Shala.

Edhe nga fotografitë tjera, shihet që i njëjti angazhohet si refer në Federatën e Futbollit të Kosovës, respektivisht i njëjti në muajin prill ka qenë i deleguar në ndeshjen e zhvilluar në Ferizaj, në superligën e kadetëve në ndeshjen Ferizaj – Ramiz Sadiku.

Gani Gërmizaj ka qenë edhe kandidat për asamblenë komunale Prizren, për zgjedhjet Komunale të mbajtura në vitin 2017.

Pak kohë pas lajmërimit të Haskukës për emrin e ri të Drejtorit të Arsimit, Gani Gërmizaj në llogarinë e tij personale në Facebook, ka falenderuar Nismën dhe Zafir Berishën sipas tij për besimin e dhënë,  për marrjen e pozitës së Drejtorit të Arsimit.

Në një postim me disa gabime drejtshkrimore ai ka thënë se do ta respektojë ligjin.

Gani Gërmizaj ka thënë se i garanton qytetarët se ‘’ puna dhe detyra ime e re, do të jet në përputhje të plotë me ligjin, rregulloret dhe udhëzimet administrative që janë në fuqi. Po ashtu, zotohem se të gjitha angazhimet e mia, do të jenë të bashkërenduara dhe në harmoni të plotë me politikat që janë të hartuara nga koalicioni qeverisës komunal, respektivisht nga kryetari i Komunës, z.Mytaher Haskuka ‘’

‘’ Na priftë e mbara..! ‘’, ka shtuar në fund Drejtori i ri i Arsimit në Prizren, Gani Gërmizaj.