Edhe mbi asfaltin e rrugës në Gremnik të Klinës bien “lulelakra”!

Kryetarin e Komunës së Klinës, Zenun Elezaj, vazhdojnë ta përcjellin skandalet.
Sikurse në rrugët e fshatrave Çabiq, Krushevë të Madhe dhe Stapanic, edhe në atë të Gremnikut, pas shtrimit të asfaltit, po bien “lulet”, raporton Gazeta Evropa.

“Në Çabiq, Krushevë të Madhe dhe Stapanicë. ‘Gjethet’ jeshile kanë dalë mbi sipërfaqe të asfaltit! Për disa ishte nxitëse në krijimtari satirike, për pushtetarët në Klinë-asgjë, e për qytetarët e Klinës-një arsye më shumë për ta braktisë këtë vend të rrjepur, këtë shoqëri të nënshtruar ndaj të keqes. Çabiqit, Krushevës së Madhe dhe Stapanicës, këtë javë i është bashkuar edhe Gremniku”, thuhet në reagimin e Degës së PDK-së në Klinë.

Po ashtu në këtë reagim thuhet se ai që do të duhej të merrte masa është kryetari i komunës, Elezaj.

“Por këtë ja pamundëson polinomi partiak në qeverisje. Duroni edhe dy vjet, qytetarë të dashur”, thuhet në këtë reagim.

Reagimi i plotë:

“LULELAKRA” EDHE MBI ASFALTIN E RRUGËS NË GREMNIK

Ngarendja për të përfituar një votë më shumë përmes asfaltimit të disa rrugëve rurale, si dhe tendenca për të ndryshuar raportin skandaloz që e ka nxjerr GAP në lidhje me premtimet e pa mbajtura të kryetarit të Klinës, po i detyron pushtetarët që të bëjnë një hap para e dy prapa në “revolucionin” qeverisës të Klinës.
Pavarësisht kritikave dhe këshillave të shoqërisë Civile dhe Opozitës, Polinomi partiak në qeverisjen e Klinës, vazhdon zhvleftësimin e parimeve bazë të shoqërisë-Unitetin në diversitet. Disa seanca radhazi në Kuvendin e Komunës është kërkuar vlerësimi dhe rishikimi i punimeve në disa projekte, që nuk janë pak, të përfunduara dhe të papërfunduara, me qellim që të evidentohen shkeljet dhe të mos përsëriten në projektet e ardhshme. Por, një votë më shumë e Pozitës ka ndikuar që këto iniciativa të mbesin të shënuara vetëm në procesverbale. Dhe për pasojë të kësaj, vazhdohet me keqpërdorime, keqmenaxhime dhe keqqeverisje të projekteve, konkurseve të punësimeve, organizimeve kulturore dhe parasë së taksapaguesve.
Është thënë, është shkruar, është faktuar matrapazllëku që është bërë në asfaltimin e disa rrugëve në tre fshatra të Komunës së Klinës. Në Çabiq, Krushevë të Madhe dhe Stapanicë. Gjethet jeshile kanë dalë mbi sipërfaqe të asfaltit! Për disa ishte nxitëse në krijimtari satirike, për pushtetarët në Klinë-asgjë, e për qytetarët e Klinës-një arsye më shumë për ta braktisë këtë vend të rrjepur, këtë shoqëri të nënshtruar ndaj të keqes.
Çabiqit, Krushevës së Madhe dhe Stapanicës, këtë javë i është bashkuar edhe Gremniku. Asfaltimi i rrugës në fshatin Gremnik, është pranuar si punë e përfunduar sipas standardëve të kërkuara dhe janë aplikuar normativat e duhura – shkruan në vendimin e nënshkruar nga Menaxheri i projektit, drejtori i Urbanizimit L.M. me datë 20. 11. 2018. Normativë e duhur për drejtorin në fjalë dhe pushtetarët e tjerë, siç duket është e kundërta e normativës së duhur.
Në mungesë të aplikimit të normativave të duhura në asfaltimin e rrugës në fshatin Gremnik, sikurse edhe në fshatrat e tjera që e theksuam më lart, gjethet jeshile po e mbulojnë asfaltin e ri. Kështu do të vazhdoj edhe më tutje derisa të merr masa dikush. Ai që do të duhej të merrte masa është kryetari i Komunës, z. Elezaj, por këtë ja pamundëson polinomi partiak në qeverisje.
Duroni edhe dy vjet, qytetarë të dashur.