EKSKLUZIVE/ Kjo është përmbajtja e Projektrezolutës për gjenocidin serb në Kosovë, e cila pritet të miratohet nesër në Kuvend

Kuvendi i Kosovës pritet që nesër, e enjte, ta votojë Projektrezolutën për gjenocidin serb në Kosovë.

Sikur iniciativat e mëparshme, kishte dështuar edhe propozimi i fundit i PDK-së, i datës 27 mars 2015, që Kuvendi i Kosovës të nxjerrë rezolutë për gjenocidin serb në Kosovë.

Pesë vite më vonë, më 12 prill 2019, përkatësisht 20 vite pas çlirimit të Kosovës, kryediplomati i UÇK-së, politologu Bardhyl Mahmuti u është drejtuar përmes një letre publike deputetëve të Kuvendit të Kosovës, nga të cilët kishte kërkuar që të miratohet një projektrezolutë për gjenocidin serb në Kosovë. Me këtë rast, politologu Mahmuti kishte ofruar edhe projektrezolutën e hartuar prej tij, e cila ishte publikuar nga mediat dhe kishte ndeshur në një jehonë shumë pozitive.

Më 15 prill 2019, Kuvendi i Kosovës, me propozim të shefit të Grupit Parlamentar të Nismës, Bilall Sherifi, kishte miratuar Komisionin “Ad-hoc” për krimet e kryera nga forcat serbe gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Kurse, më 7 maj 2019, Komisioni “Ad-hoc”, i kryesuar nga Bilall Sherifi, e ka dërguar në Kryesinë e Kuvendit Projektrezolutën për gjenocidin serb në Kosovë.

Gazeta Evropa e sjell ekskluzivisht për lexuesit e saj Projektrezolutën për gjenocidin serb në Kosovë, e cila do të shtrohet nesër, e enjte, 16 maj 2019, për miratim nga Kuvendi i Kosovës.

Krahas mbështetjes juridike dhe politike mbi bazën e Kartës së Kombeve të Bashkuara, të datës 24 tetor 1945, deklaratatave dhe konventave të shumta ndërkombëtare, Projektrezoluta për gjenocidin e kryer serb në Kosovë, përmban në vete edhe anën faktografike të rreth 100 masakrave kolektive të evidentuara ndaj popullsisë së pambrojtur civile në Kosovë, të kryera nga forcat serbe në Kosovë gjatë periudhës 1998-1999.

Si pasojë, në tekstin e kësaj projektrezolute, thuhet se janë dëbuar rreth 1 milion shqiptarë, janë vrarë rreth 12 mijë civilë të pambrojtur, kryesisht shqiptarë, përfshirë edhe pjestarë të etnive tjera boshnjakë, turq, romë, ashkali, egjiptas, në mesin e të cilëve 1392 fëmijë, mbi 800 prej tyre nën moshën 5 vjeçare dhe1739 gra.

Po ashtu në këtë projektrezolutë kërkohet nga shteti i Serbisë të pranojë faktin se ky shtet, në kundërshtim të plotë me Konventën për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit, të datës 9 dhjetor 1948, dhe duke shkelur rëndë Konventat e Gjenevës, të datës 12 gusht 1949, dhe të Protokolleve shtesë të këtyre konventave, ka kryer krime të luftës, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid në Kosovë në periudhën 1998-1999.

Krahas Projektrezolutës, Kosova, pas nismës së Kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, është duke i shqyrtuar edhe proceduarat e themelimit të një Tribunali për krimet e Serbisë në Kosovë.