FAKTE TË REJA, ja si ishin emëruar Tahir Zemaj, Sali Çeku, Rrustem Berisha… në pozita udhëheqëse në brigadat e UÇK-së (Dokument)

Ish- përfaqësuesi politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Faton Mehmetaj, ka zbardhur detaje interesante nga takimi i 5 korrikut të 1998, i cili ishte mbajtur në shtëpinë e Dervish Metës (Tetaj) në fshatin Llukë e Poshtme, me ish-oficerët shqiptarë të Ushtisë Jugosllave, të cilët kishin ardhur në Dukagjin për ta ndihmuar UÇK-në, njofton Gazeta Evropa.

Në këtë takim, në të cilin kishin marrë pjesë edhe komandanti i Zonës Operative të Dukagjinit (ZOD), Ramush Haradinaj, bashkë me disa anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, oficerët shqiptarë ishin shpërndarë nëpër brigadat ekzistuese të UÇK-së, përfshirë edhe Tahir Zemajn, Sali Çekun, Rrustem Berishën etj.
“Në këtë mbledhje janë emruar në pozita të ndryshme udhëheqëse, me vendime të shkruara, të cilat i kanë pranuar, të gjithë ish-oficerët që kishin ardhur në ZOD. Pasi ata i morën detyrat, në ditët në vijim u shpërndanë nëpër pikat ku kishin marrë përgjegjësi sipas nevojës, kuptohet brenda zonave të lira të kontrolluara nga UÇK-ja”, ka shkruar Mehmetaj në llogarinë e tij në “Facebook”.

Postimi i plotë i Mehmetajt:

Takimi më 5 korrik 1998, në shtëpinë e Dervish Metës (Tetaj) në fshatin Llukë e Poshtme, me ish-oficerët shqiptarë të UJ-së qe kishin ardhur në Dukagjin për ta ndihmuar UÇK-në.
Ish-oficerët shqiptarë të UJ-së kishin ardhur në Dukagjin, pasi që një muaj më herët, Komandanti i Zonës Operative të Dukagjinit, Ramush Haradinaj, u kishte bërë thirrje publike të gjithë ish-eprorëve shqiptarë, disa prej të cilëve kishin marrë pjesë edhe në luftërat në Slloveni, Kroaci dhe Bosnjë e Hercegovinë, që të vijnë dhe t’i bashkangjiten UÇK-së në luftë për liri. Për këtë arsye paraprakisht është adaptuar objekti i shkollës fillore të Prapaqanit, duke e shndërruar në kazermë, sepse ishte vend i përshtatshëm dhe larg prej vijave të frontit. Ky objekt do të shërbente për përgatitjen e rekrutëve të rinj. Pra, kazerma në Prapaqan është përgatitur me urdhër të Komandantit të ZOD-it, Ramush Haradinaj. Oficerët që iu kishin përgjigjur ftesës së Komandantit të ZOD-it, Ramush Haradinajt, sidomos ata që u ndalën në Zonën e Dukagjinit, për t’u njoftuar me Shtabin e ZOD-it, për t’u njoftuar me gjendjen në terren ku çdo ditë kishte luftime dhe sulme të vazhdueshme por dhe për t’u marrë vesh për detyrat konkrete që mund të merrnin përsipër nga komandanti i ZOD-it, Ramush Haradinaj, u caktua një takim pune, i cili u mbajt në mbrëmjen e datës 5 korrik 1998, në shtëpinë e Dervish Metës (Tetaj) në fshatin Llukë e Poshtme.
Në këtë takim ka marrë pjesë Komandanti i ZOD-it, Ramush Haradinaj, bashkë me disa anëtarë të shtabit të kësaj zone dhe përfaqësuesit e ish-oficerëve, të cilët kishin ardhur për t’ju bashkangjitur UÇK-së.
Në këtë mbledhje janë emruar në pozita të ndryshme udhëheqëse, me vendime të shkruara, të cilat i kanë pranuar, të gjithë ish-oficerët që kishin ardhur në ZOD. Pasi ata i morën detyrat, në ditët në vijim u shpërndanë nëpër pikat ku kishin marrë përgjegjësi sipas nevojës, kuptohet brenda zonave të lira të kontrolluara nga UÇK-ja.
(Vëmendje: Sa për njoftim të opinionit, mbledhjet e përbashkëta në Llukë të Poshtme, në Zhebel, Prapaqan e në vende tjera, ndërmjet Shtabit të ZOD-it dhe ish-strukturave të oficerëve janë të regjistruara si procesverbale dhe regjistrime audiovizuele (në diktafon).

Faksimil nga procesverbali i mbajtur në mbledhjën e Llukës më 5 korrik 1998.