Loja mashtruese e shifrave

Shkruan: Bedri Islami

Pasi humbi në dy kauzat e saj kryesore, pra që nuk do të ketë zgjedhje në 30 qershor dhe rrëzimin e Edi Ramës, krijimin e një qeverie teknike e zgjedhje të parakohshme politike, opozita, në dy krahët e saj, ka hyrë në lojën mashtruese të shifrave.

Opozita që kërcënoi që nuk do të zgjedhje, tani ka nxjerrë tespiet e numërimit të votave.

Si qëndron e vërteta:

Në Shqipëri ishin të regjistruar 3.54 milion votues.

Sipas studimit ndërkombëtar vjetor 41 për qind e popullsisë shqiptare me të drejtë vote janë jashtë Shqipërisë ose 1.44 milionë zgjedhës.

Në Shqipëri, më 30 qershor ndodheshin 59 për qind e votuesve ose rreth 2 milionë e 88 mijë votues.

Sipas të dhënave të pandryshuara në vite 14 për qind prej tyre konsiderohen mosvotues klasikë. Ata nuk votojnë asnjëherë. Këto kanë përbërë gjithnjë rreth 600 mijë votues.

Në zgjedhjet e 30 qershorit morën pjesë rreth 22 përqind e totalit të votuesve të regjistruar ose rreth 778.800 votues.

Nuk morën pjesë në votime rreth 23 për qind e atyre që ndodheshin në Shqipëri, ose rreth 815 mijë votues.

Opozita deklaron se 85 për qind e popullsisë e refuzoi 30 qershorin. Duke futur këtu edhe ne që jemi në mërgim, edhe ata që kanë refuzuar gjithnjë votimin.

Duke u nisur nga kjo mënyrë krahasimi:

Në zgjedhjet e vitit 2017 PD-ja fitoi në të gjithë vendin 456.413 vota ose 13 përqind e numrit të përgjithshëm të popullsisë me të drejtë vote.

87 për qind e votuesve e refuzuan në vitin 2017 Partinë Demokratike.

Në zgjedhjet e vitit 2017 LSI fitoi në të gjithë vendin 225.901 vota, ose 6.3 për qind e numrit të përgjithshëm të popullsisë me të drejtë vote.

93.7 për qind e votuesve e refuzuan në vitin 2017 LSI-në.

Nëse bëhen kështu llogaritë, atëherë në vitin 2017, PD plus LSI fituan sëbashku 682.214 vota ose 19.3 për qind të numrit të përgjithshëm të popullsisë me të drejtë vote.

80,7 për qind e popullsisë i refuzuan ato.

Në zgjedhjet politike të vitit 2017 PS mori 764.752 vota ose 82.538 vota më shumë se sa dy forcat kryesore të opozitës së bashku.

Dje, 30 qershor, pavarësisht presionit, thirrje për dhunë, dhe mbi të gjitha, sigurisë se këto janë zgjedhje të fituara ende pa filluar, përsëri për PS votuan mbi 700 mijë votues.

Atëherë, kush humbi e kush fitoi?

Dhe kush janë “trimat” që, pasi bënë thirrje për dhunë, revolucion, për të nxjerrë ushtrinë në rrugë etj ia mbathën për në plazh?

Unë vazhdoj t’i trembem stilit autokratiktë shefit të qeverisë, i cili, edhe pa i pasur nën sqetull të gjitha bashkitë e vendit, ishte, pa dyshim, kryeministri më arrogant i së majtës dhe më i lidhur me qarqet e oligarkisë financiare, si rrjedhje nga koha e Berishës.

Unë i trembem lojës teatrore që po bëhet pas ftesave për dialog e marrëveshje.

I druhem asaj që do të ndodhë më pas, 30 qershori iku, zgjedhjet, mirë a keq, u bënë, numërimi po përfundon.

Po pastaj?

Do e lexojë Edi Rama si duhet votën e shqiptarëve?

Vështirë ta thuash!

Por, loja e turpshme e përqindjeve dhe mbështetja pas tyre si pas një gardhi të kalbur, nxjerr pisllëqet e llogarive politike.