Në rast të mos ripërtëritjes së kontratës, Telekomi mund t’i marrë numrat e Z Mobile

Në Komisionin Hetimor Parlamentar në lidhje me gjendjen në PTK dhe Vala sot gjatë intervistimit të kryetarit aktual të Bordit të ARKEP, Kreshnik Gashi si dëshmitar, është kërkuar sqarim lidhur me licencimin e operatorëve virtual, veçanërisht për Z Mobile, si dhe për numeracionin e kësaj kompanie nëse nuk ripërtërihet kontrata mes tyre dhe Telekomit.

Anëtari i Komisionit Bekim Haxhiu ka pyetur Gashin se deri kur ka licencë së funksionari operatori virtual Z Mobile dhe a është e ndërlidhur me licencën e Telekomit.

Po ashtu, Haxhiu ka pyetur edhe për konsumatorët e Z Mobile që nëse mbeten pa shërbime nga 1 gushti, çfarë ndodhë me ata numra individual.

Kreu i ARKEP është përgjigjur duke thënë se me liberalizmin e tregut të telekomunikimeve elektronike dhe operatorët virtualë që janë mbi 130 nuk janë të obliguar të pajisen me licenca përveç autorizimeve individuale për frekuencë dhe numeracion ose detyra të caktuara.

“Pra, nuk është më me rëndësi se a janë të licencuar apo jo, por është me rëndësi se operatorët virtualë a kanë kontratë me një operator tjetër. Z Mobile e ka autorizimin e përgjithshëm. Numeracioni është çështje e pronarit, nëse nuk ka operator ata numra nuk mund të funksionojnë dhe është çështje e Telekomit se si e menaxhon këtë çështje.

Telekomi i Kosovës dhe Z Mobile nëse nuk vazhdojnë kontratën numeracioni mbetet në Telekom, por ende nuk kemi vendim zyrtar se çfarë do të ndodhë”, theksoi Gashi, transmeton kosovapress.

Deputetja Albulena Haxhiu tha se ART në atë kohë ka qenë jashtëzakonisht e afërt me favore ndaj Z Mobile për rezervimin e 100 mijë numrave dhe pastaj 100 mijë numrave të tjerë.

Po ashtu, deputetja Haxhiu ka pyetur se çfarë funksioni ka Z Mobile shitës apo diçka tjetër.
Gashi nga ARKEP tha se sa i përket paraardhësve nuk i ka takon të flas por për kontratat komerciale nuk janë objekt hetimi ose kompetencë e ARKEP.

Kryesuesi i Komisionit Visar Ymeri tha se kontrata mes Telekomit dhe Z Mobile nuk është vetëm komerciale, ka efekt edhe në tregun e telekomunikime, ngase kjo ka të bëjë për siguri kombëtare dhe për mbrojtje të konsumatorëve.

Sipas tij, ARKEP ka përgjegjësi ta shqyrtojë ose ta ketë pasur në arkiva kontratën në fjalë.
Deputeti Haxhi Avdyli duke thënë se nëse kontrata në mes Telekomit dhe Z Mobile ripërtërihet, cili do të ishte mendimi i ARKEP, por kryetari i bordit të këtij institucioni tha se si rregullator do të ishte ndërhyrje nëse jepet mendim për këtë çështje edhe pse janë kundër punëtorët dhe menaxhmenti i Telekomit.

Deputeti Armend Zemaj tha se është shqetësuese ajo çfarë ka ndodhur në Telekom, andaj sipas tij ARKEP-it i ka takuar të merret pak më shumë për ndërhyrje edhe pse shumë institucione përkatëse mbyllën sytë dhe veshët për këto shkelje.

Po ashtu, Zemaj ka kërkuar sqarime edhe për mospërputhjen e të dhënave financiare në mes Z Mobile dhe auditorit.

Komisioni në fjalë pas përfundimit të intervistës me Kreshik Gashi, pas një pauze 10 minuta vazhdon intervistimin e zyrtarëve të tjerë lidhur me Telekomin.