Sami Lushtaku me akuza të rënda: Nga PDK duhet të përjashtohen 4-5 persona, për cilët e ka fjalën?

Sami Lushtaku ka thënë se nga PDK-ja duhet të largohen e përjashtohen 4-5 persona, të cilët sipas tij, kontrollojnë çdo gjë në Kosovë, drejtësinë, biznesin, mediat dhe sferat tjera vitale të vendit, njofton Gazeta Evropa.

Ai po ashtu ka sqaruar se mbi të nuk rëndon asnjë aktakuzë që lidhet me korrupsion ose ndonjë aferë që lidhet me krim të organizuar apo shpërdorim të detyrës zyrtare.

Postimi i plotë i Lushtakut:

Të nderuar qytetarë,

Ditëve të fundit në media është lakuar pa të drejtë emri im, lidhur me disa vendime të brendshme në Partinë Demokratike të Kosovës. Dëshiroj të sqaroj që unë së fundi jam zgjedhur Kryetar i Degës së PDK-së në Skenderaj me mbi 90% të votave nga delegatët e Kuvendit të Degës dhe pastaj anëtar i Këshillit Drejtues në Konventën e IX të PDK-së, në nivelin qendror. Mandatin ma kanë dhënë anëtarët e Partisë Demokratike të Kosovës nga të gjitha nëndegët dhe vetëm ata kanë të drejtë të më ndëshkojnë me votën e tyre për mospunën time.

Sa për sqarim, nuk është e vërtetë që unë kam ndonjë aktakuzë që lidhet me korrupsion ose ndonjë aferë që lidhet me krim të organizuar apo shpërdorim të detyrës zyrtare. E vetmja aktakuzë, dhe të cilën as tash e tutje nuk e pranoj, lidhet me transferimin tim në organet e zbatimit të drejtësisë në veri, ku konsideroj se do të rrezikohej jeta ime. Kësisoj, unë kam përshtypjen se askush nuk e ka qëllimin të më përjashtojë nga partia, në të cilën jam mishëruar dhe jam pjesë e saj që nga fillimi.

Nga partia duhet të largohen e të përjashtohen me turpin më të madh 4-5 persona, të cilët e kanë bllokuar Kosovën e PDK-në dhe të cilët kontrollojnë çdo gjë në Kosovë, drejtësinë, biznesin, mediat dhe sferat tjera vitale të vendit tonë, gjë që për veprimtaritë e tyre të pista dhe rrjetet që kanë ndërtuar janë të mirëinformuar edhe miqtë tanë ndërkombëtarë.

E nuk e besoj që duhet të luhen lojëra si viktimizimi i figurave të tilla si Gjenerali Agim Çeku e të tjerë për asnjë arsye. SL