Thaçi thotë se Ushtria e Kosovës është profesionale, e standardeve të NATO-s

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, me rastin e 20 vjetorit të lirisë u është adresuar dhe ka inspektuar ushtarët e Republikës së Kosovës, njofton Gazeta Evropa.
Me këtë rast, Thaçi ka thënë se këto ditë “po shënojmë 20 vite të përfundimit të gjenocidit dhe spastrimit etnik të shtetit të Serbisë, 20 vite të lirisë e të paqes”.

“Shënojmë 20 vjetorin e kthimit të 1 milion qytetarëve të Kosovës në shtëpitë e tyre në Kosovë, rindërtimin e jetëve dhe të shtëpive tona, mbylljen e kapitullit të tragjedive e vuajtjeve dhe hapjen e kapitullit të shpresës dhe angazhimit për një jetë më të mirë”, u shpreh presidenti Thaçi.

Kreu i shtetit ka thënë se Forca e Sigurisë e Kosovës është e mishëruar me dëshirën për liri dhe me gatishmërinë për të mbrojtur këtë liri, për çdo qytetar të Kosovës, në çdo kënd të Kosovës.

“Forca e Sigurisë së Kosovës sot është forcë profesionale e standardeve të NATO-s, forcë shumetnike, që në mënyrën më të mirë pasqyron Kosovën që e kemi ndërtuar së bashku. Këto ditë kujtojmë të kaluarën, por shikojmë edhe kah e ardhmja. Kemi arritur shumë në këto 20 vite. Kemi ndërtuar institucionet e shtetit dhe kemi rindërtuar shoqërinë. Kemi vënë bazat e zhvillimit ekonomik dhe të sundimit të ligjit”, ka thënë presidenti Thaçi.

I pari i vendit ka thënë se e kemi realizuar aspiratën për liri dhe aspiratën për shtet të pavarur, kurse tani po punojmë për anëtarësim në NATO dhe në BE.
“Rruga nuk do të jetë e lehtë dhe as e shpejtë. Duhet të përfundojmë reformat në ekonomi, në drejtësi dhe në politikë. Duhet të përmbyllim konsolidimin ndërkombëtar të shtetit, duke fituar anëtarësimin në Kombet e Bashkuara. Kemi ndërtuar marrëdhënie të mira me fqinjët tanë, me Shqipërinë, me Malin e Zi dhe me Maqedoninë Veriore. Po punojmë për marrëveshje paqësore, finale, gjithëpërfshirëse, ligjërisht të obligueshme, me Serbinë. Dëshirojmë të mbyllim kapitujt e konfliktit dhe tragjedive të shekujve të kaluar. Të hapim kapitullin e shekullit të ri, të jetës në liri, në barazi, në zhvillim, prosperitet”, u shpreh ai.

Presidenti Thaçi ka thënë se kjo është aspirata dhe detyra jonë e përbashkët.

“Ky është zotimi ynë për qytetarët e Kosovës. E gëzofshim lirinë!”, ka thënë presidenti Thaçi.
/Gazeta Evropa/