Veseli emëron Muzafer Shalën ministër të Inovacionit dhe Ndërmarrësisë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Kadri Veseli, ka prezantuar sot ministrin e ri të Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Muzafer Shalën, i cili është doktor shkence në fushën e Inxhinierisë Elektronike në Universitetin e KENT-it, i cili është njëri ndër universitetet më të mira në Angli.

Shala është anëtar i Partisë Demokratike të Kosovës dhe vjen nga Dega e PDK-së në Vushtrri.

“Njëri nga parimet kryesore për të krijuar ndërmarrësi dhe inovacion është bashkëpunimi adekuat në mes industrisë dhe botës akademike, së bashku me zhvillimin e kapitalit njerëzor. Ne kemi shumë njerëz premtues në Kosovë. Fatkeqësisht shumë prej tyre po e lëshojnë vendin; qëllimi jonë është që ta ndalim zbrazjen e trurit dhe t’i japim rinisë sonë arsye për të qëndruar këtu. Një mjedis që i siguron rinisë sonë kushte dhe programe për t’i realizuar ëndrrat e tyre, për të implementuar idetë e tyre inovative – definitivisht do t’i bindë ata për të qëndruar. Ky është misioni jonë”, ka thënë kryetari i PDK-së, Kadri Veseli.

Ai ka thënë se emërimi i Muzafer Shalës në pozitën e ministrit po ashtu dërgon mesazhin e duhur se PDK i jep hapësirën meritore njerëzve të rinj dhe premtues.