“14 orë çizmet nuk na ndahen, nuk ka as shujta”, policët kosovarë paralajmërojnë protesta

Forcat e Policisë së Kosovës shumë shpejt do të dalin në protestë. Kështu ka paralajmëruar Shaban Tasholli, përfaqësuesi i Sindikatës së Policisë së Kosovës në mbledhjen e Komisionit për çështje të sigurisë dhe mbrojtjes.

Ai ka thënë se këtë nuk e dëshiron institucioni i sigurisë, mirëpo, sipas tij, policia është mbështetur për muri.

“14 orë çizmet nuk na ndahen. Policia nuk ka shujta 12-orëshe, që me ligj i takon. Nuk i paguhen orët shtesë, por deri në 60 orë.

Kërkesa jonë është që të realizohet paketa 300 eurove, ndërrimi i natës, puna jashtë orarit dhe shujta. Asnjë përgjigje s’kemi nga Qeveria e Kosovës. Ne e kemi sot afatin e fundit për kërkesat tona. E them me shumë përgjegjësi, se policia është mbështetur për muri”, ka thënë ai.

Ndër të tjera, ai ka thënë se me Qeverinë Kurti kanë marrë 300 euro për dy muaj, ndërkohë që tani janë ndalur pagesat.

“Protesta do të ndodhë dhe ne protestën mund ta kemi në kontroll 1 orë. Nuk dëshirojmë protestën, por jemi në situatën që jemi të detyruar ta bëjmë. Në Qeverinë e Kurtit me ministrin Xhelal Sveqla kemi arrit t’i merrnim 300 euro për dy muaj. Tani me Qeverinë e Hotit ndalen të gjitha, nuk ka asnjë përgjigje”, është shprehur tutje ai.

Duhet theksuar se Policia e Kosovës u kthye në orar 12 orësh, pas rritjes së numrit të të infektuarve dhe shtimit të masave nga Qeveria.

Comments are closed.