Abelard Tahiri e quan kryeministrin Hoti të pafuqishëm

Deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri ka reaguar pas votimit të Qeverisë Hoti.

Tahiri ka thënë se Qeveria Hoti nuk është e aftë për t’u bërë ballë sfidave që e presin Kosovën.

“Pas shkarkimit të Qeverisë së Stagnimit, sot u votua Qeveria e Status Quo-së.  Rrethanat e pandemisë që mundësuan devalvimin e institucioneve nga Albin Kurti, sot po e mundësojnë zgjatjen e këtij devalvimi nga LDK.

Nga një Qeveri e integruar nën urdhrat e një njeriu arbitrar, në një Qeveri të dezintegruar nën urdhrat e hisedarëve të saj. Prej një kryeministri arrogant në uzurpim e keqqeverisje, në një kryeministër të pafuqishëm. Kjo Qeveri nuk është e aftë për t’u bërë ballë sfidave që e presin Kosovën”, ka shkruar ai.

Deputeti ka shtuar më tej se qytetarët meritojnë zotimin për demokraci, zhvillim e barazi dhe se PDK po punon për këtë.
“Gjithsesi, PDK do jetë opozitë përballë kësaj Status Quo-je, siç ishte opozitë përballë rënies së demokracisë nën diktatin e Albin Kurtit.

Qytetarët meritojnë zotimin tonë për demokraci, zhvillim e barazi. PartiDemokratike e Kosovës po punon dhe do të punojë për ta bërë këtë të mundur sa më parë”.

Ndryshe, me 61 vota pro, 24 kundër dhe 1 abstenim sot në Kuvendin e Kosovës është votuar Qeveria Hoti.

Comments are closed.