Abelard Tahiri: Ftoj zyrtarët e Vetëvendosjes që të kthehen nga plazhet, një realitet i hidhur po i pret

Ministri në largim i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka pohuar se gjuha dhe retorika shpifëse po i tradhton zyrtarët e Vetëvendosjes, duke iu shpalosur verbërinë për pushtet.

“Ata duhet ta dinë se është vullneti i popullit ai që cakton kush bëhet ministër e kush mbetet opozitë, madje opozitë për tërë jetën. Dhe vullneti i popullit flet përmes zgjedhjeve. Mesazhi im, ngjashëm si edhe Kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, z. Veseli, është mjaft i qartë: Zgjedhjet e pashmangshme dhe sa më parë që është e mundur”, ka shkruar Tahiri në Facebook, transmeton Klan Kosova.

“Pyetja që sot duhet të shtrojnë zyrtarët e Vetëvendosjes është se ku janë deputetët dhe ku është lideri i saj. Vetëvendosje si subjekt edhe ashtu i thyer, në kohën kur duhet të shpërndahet Kuvendi, përfaqësuesit e saj kanë zgjedhë plazhin, e lideri i tyre shpirtëror ka zgjedhë Palestinën si destinacion për t’i ikur realitetit”.

“I ftoj të njëjtit që të kthehen nga plazhet, në realitetin e hidhur që po i pret. Zgjedhje sa më parë! Për qeveri të re e të përgjegjshme me PDK-në në krye të saj”.