Ahmeti: Porosia e votuesve është e qartë se kush duhet të jetë në pozitë e kush në opozitë

Lideri i Partisë Social Demokrate, Shpend Ahmeti  është deklaruar pas numërimit të votave të rregullta nga KQZ.

Ahmeti ka deklaruar se porosia e votuesve ishte e qartë, e qartë dhe për atë se kush duhet të jetë në pozitë e kush në opozitë.

Ahmeti tha poashtu se shpreson në certifikim sa më të shpejtë të rezultateve dhe formimin e institucioneve për shkak përgjegjësive që presin bartësit e ri të institucioneve.

“Çfarëdo zhagitje në certifikim është vetëm shenjë e humbësve të dobët. Çfarëdo hezitimi në koalicion nga dy partitë është në kundërshtim me deklaratat e dhëna para zgjedhjeve”, shtoi Ahmeti, transmeton Indeksonline.

Ahmeti uroi përsëri Vetëvendosjen, duke thënë se për PSD-në rezultati i votave ishte jo i kënaqëshëm, por edhe porosi nga votuesit për vendimet e marra.

Postimi i plotë:

Tani që përfundoi numërimi preliminar i zgjedhjeve të 6 tetorit, porosia e votuesve ishte e qartë. Është e qartë dhe për atë se kush duhet të jetë në pozitë e kush në opozitë.

Shpresojmë në certifikimin sa më të shpejtë të rezultateteve dhe formimin e institucioneve për shkak të përgjegjësive që presin bartësit e ri të institucioneve. Çfarëdo zhagitje në certifikim është vetëm shenjë e humbësve të dobët. Çfarëdo hezitimi në koalicion nga dy partitë është në kundërshtim me deklaratat e dhëna para zgjedhjeve.

Siç kam thënë natën e parë, urojmë fituesin e zgjedhjeve, Lëvizjen Vetëvendosje. Pa marr parasysh dallimeve urojmë punë të mbarë në realizimin e zotimeve që i kanë dhënë, posaçërisht me ato që pajtohemi.

Për PSD, ky ishte një rezultat jo i kënaqshëm, por edhe porosi nga votuesit për vendimet e marra. Ne edhe sot besojmë se kanë qenë vendime të drejta në interes të shtetit të cilat qytetari qartazi nuk i ka përkrah në nivelin e duhur.

Ne vazhdojmë të besojmë në barazi, mirëqenie e solidaritet. Do ta përkrahim qeverinë e re në pika të interesit nacional dhe ku pajtohemi, si psh dialogu me Serbinë ku nuk ka ndryshim të kufijve e nivel të tretë të qeverisjes e deri te insistimi në rritjen e pages minimale. Por edhe do ta kundërshtojmë e monitorojmë për vendimet që nuk pajtohemi.

Do ta fillojmë një rindërtim të relacionit me qytetarin për të vazhduar luftën për socialdemokraci e mirëqenie në Kosovë.