Albin Kurti dhe kryetari i Presidencës së Bosnjë dhe Hercegovinës kundër idesë së shkëmbimit të territoreve

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti gjatë ditës së sotme ka zhvilluar një bisedë telefonike me kryetarin e Presidencës së Bosnjë dhe Hercegovinës, dhe anëtarin Boshnjak të Presidencës së Bosnjë dhe Hercegovinës, Šefik Džaferović.

Sipas njoftimit të zyrës së kryeministrit, në këtë bisedë është diskutuar në lidhje me situatën me COVID-19 në vendet respektive, duke i komunikuar njëri-tjetrit masat që qeveritë e dy vendeve kanë ndërmarrë në luftimin dhe menaxhimin e përhapjes së virusit Corona.

Zyra e kryeministrit ka bërë të ditur se tutje në këtë bisedë është diskutuar edhe për marrëdhëniet bilaterale, lëvizjes së lirë të mallrave dhe të personave në mes dy shteteve.

“Me këtë rast, Džaferović falënderoi Kryeministrin në detyrë Kurti për vendimin për largimin e tarifës 100% ndaj mallrave nga Bosnjë dhe Hercegovina. Kryeministri në detyrë Kurti tha se Republika e Kosovës nuk duhet ta trajtojë dhe nuk do ta trajtojë njësoj Bosnjën dhe Hercegovinën sikurse Serbinë. Të dy konstatuan se kërcënimi më i madh me të cilin përballemi në dy vendet është lloji i politikës që nuk pati sukses gjatë luftës në vitet 90-ta, dhe se ideja e shkëmbimit territorial në mes Kosovës dhe Serbisë është e rrezikshme pasi e njëjta na kthen në vitet e 90-ta”, thuhet në njoftim.

Në këtë bisedë, Kurti dhe Džaferović u pajtuan se bashkëpunimi në nivel kulturor dhe historik duhet të forcohet, derisa ripërsëritën zotimin se Kosova dhe Bosnjë dhe Hercegovina mbeten të përkushtuara në anëtarësimin e tyre në NATO dhe Bashkimin Evropian.

Kurti kishte thënë se taksa me Bonjë dhe Hercegovinën duhet të hiqet pasi që ajo nuk duhet të trajtohet njësoj sikur Serbia.

Comments are closed.