Ali Ahmeti e komenton ftesën e Gjykatës Speciale për Veselin, “godet” shpifësit ndaj UÇK-së

Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, i cili ishte edhe pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës(UÇK), e ka komentuar ftesën e Gjykatës Speciale ndaj kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli.

“E di që edhe ti, si edhe unë, edhe një jetë po ta kishim, do ta bënim të njejtën, pa ndryshuar pikë as presje, pa na u dridhur qerpiku, e as pa u menduar as edhe një herë të vetme”, ka shkruar Ahmeti në llogarinë e tij në “Facebook”.

Postimi i plotë i Ahmetit:

I dashur vëlla Kadri, bashkëveprimtar, bashkëluftëtar, bashkëmendimtar, shoqërues dhe bashkëndërtues i rrugës sonë të përbashkët për liri, pavarësi, demokraci.

Na paska qenë e shkruar, jo nga Perendia, por nga hasmi, ai i dituri dhe ai i strukuri, që çdo ditë të lume ta dëshmojmë pastërtinë dhe dinjitetin e luftës tonë çlirimtare nga zgjedha e kasapit të Ballkanit.

E nga Perendia na qenka përcaktuar detyrimi që t’i bëjmë ballë shpifjeve, denigrimeve, nënçmimit, propagandës dhe lajmeve të rreme nga ai i dituri edhe ai i strukuri në mënyrë që ta mbrojmë dinjitetin e luftës, e çdo pike gjak të derdhur, e çdo plage, të secilit dëshmor, martir dhe invalid, të çdo istikame, të çdonjërës shkrepje, të secilit lot të derdhur nga sytë e nënave tona.

E di që edhe ti, si edhe unë, edhe një jetë po ta kishim, do ta bënim të njejtën, pa ndryshuar pikë as presje, pa na u dridhur qerpiku, e as pa u menduar as edhe një herë të vetme.

Kjo është padrejtësi, por ti do të ngadhnjesh ndaj saj ashtu siç bashkë ngadhnjyem në luftën tonë të drejtë.

Loading...