Ali Ahmeti: Gjurmët e mëdha të angazhimit kombëtar të Qazim Zekajt do të mbesin në histori

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, i ka dërguar një telegram ngushëllimi familjes Zekaj, me rastin e humbjes së veprimtarit, Qazim Zekaj, njofton Gazeta Evropa.

“Rreshtimi me kohë dhe pa ekuivoke në llogoret e para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në zona të ndryshme dhe në atë të Grykës së Llapushnikut, plagët e marra në luftën për çlrimin e Atdheut, e bëjnë edhe më hyjnorë e të pavdekshëm tani kur po ndahet përgjithmonë nga ne”, thuhet në këtë telegram.

Gazeta Evropa e boton të plotë telegram ngushëllimin e Ahmetit:

Familjes së mësuesit të popullit, veprimtarit të çështjes kombëtare, luftëtarit, invalidit e veteranit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Qazim Zekaj

Me dhembje mësova lajmin se u nda nga jeta Qazim Zekaj, mesuesi atdhetar, veprimtari e luftëtari kombëtar, ushtari i orëve të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, plaku simbol i maleve liridashëse të rreshtave të parë të uniformuar të ushtarëve vullnetarë të popullit shqiptar të Kosovës kundër Serbisë pushtuese!

Gjurmët e mëdha të angazhimit të Tij në edukimin e gjeneratave të reja të popullit shqiptar, i cili rënkonte i roberuar nën peshën e rëndë serbe, janë e do të mbeten të shkruara me nderim e respekt nga historia!

Rreshtimi me kohë dhe pa ekuivoke në llogoret e para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në zona të ndryshme dhe në atë të Grykës së Llapushnikut, plagët e marra në luftën për çlrimin e Atdheut, e bëjnë edhe më hyjnorë e të pavdekshëm tani kur po ndahet përgjithmonë nga ne!

Në këto momente të rënda të dhembjes e krenarisë, në emrin tim, të familjes time e të gjithë popullit shqiptar në Maqedoni, shpreh ngushllimet më të thella e të sinqerta shokut, bashkëveprimtarit e bashkëluftëtarit tim Xhevat Zekaj dhe të gjithë djemëve e vajzave, nipave dhe mbesave, shokëve dhe bashkëluftëtarëve të të pavdekshmit Qazim Zekaj!

Lavdi e perjetshme atdhetarit Qazim Zekaj!

Me nderime!
Ali Ahmeti

Tetovë, më 14 Gusht 2019!