Alma Lama: Përfundova para kohe misionin si ambasadore në Itali

Ambasadorja e Kosovës në Itali, Alma Lama, me anë të një postimi në rrjetin social Facebook ka bërë të ditur se ka përfunduar sot misionin e saj.

Lama tha se askush nuk ka pritur që të përfundon para kohe misioni i saj si ambasadore, transmeton Klan Kosova.

Ajo po ashtu ka pasë një takim përshëndetës me autoritetet e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Italisë.

“Sot kisha takimin përshëndetës me autoritetet e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Italisë. U ndjeva jashtëzakonisht e nderuar për drekën e organizuar për nderin tim me rastin e përfundimit të misionit dhe personalitetet e nivelit të lartë që ishin prezent për të më dhënë lamtumirën”.

“Padyshim që askush prej tyre nuk ka pritur që misioni im si ambasadore të përfundonte para kohe, por unë jam shume krenare për punën që kam bërë përgjatë këtyre dy viteve e gjysëm, përkundër vështirësive që më kanë krijuar gjatë rrugës”.

Ajo deklaroi se është krenare për kontaktet që ka zhvilluar me shtetasit italian.

“Jam krenare veçanërisht për ato qindra apo mijëra kontakte me shtetas italianë që kam zhvilluar gjatë kësaj periudhe nga të gjitha fushat, e që sot mund të them pa dyshim se janë miq të Kosovës me plot kuptimin e fjalës, e që në saje të këtyre kontakteve, e ndjejnë me afër vendin tonë”.

“Pavarësisht të gjithave, unë ndihem shumë e nderuar që kam përfaqësuar shtetin e Kosovës në Itali, Malta dhe San Marino dhe kam bërë maksimumin që me punën time, ta meritoj këtë nder. Dhe jam e lumtur që kjo ishte një ndarje me respektin maksimal”, ka shkruar Lama në Facebook.