Ambasadorja kroate uron Kurtin për fitoren e VV-së në zgjedhje

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe Sekretari për Marrëdhënie me Jashtë, Kreshnik Ahmeti, kanë pritur në takim Ambasadoren e Kroacisë në Kosovë, Danijela Barishiq dhe Sekretarin e Parë të Ambasadës së Kroacisë, Zlatko Vnuçec.

Barishiq ka uruar Kurtin për fitoren e VV-së në zgjedhjet e 6 tetorit, njofton Klan Kosova.

“Ajo përmendi faktin që nga janari deri në qershor të vitit 2020, Kroacia do të jetë në krye të Presidencës së Bashkimit Evropian (BE), me ç‘rast do të angazhohet për procesin e integrimit të vendeve të rajonit në këtë institucion. Më tutje, ajo u interesua për procesin e formimit të Qeverisë dhe prioritetet mbi të cilat do të ndërtohet programi i Qeverisë Kurti”.

“Kurti njoftoi Ambasadoren Barišić për procesin e negociatave me partnerin e ardhshëm të koalicionit qeverisës. Ai tregoi se programi i Qeverisë së ardhshme të Republikës së Kosovës tanimë është në fazën e përmbylljes, me ç‘rast po përfundon suksesshëm edhe procesi negociator, nga i cili do të rezultojë një Qeveri e ndryshimeve progresive. Qeveria e re për prioritet do të ketë ngritjen e mirëqenies së qytetarëve dhe luftimin e krimit dhe korrupsionit brenda dhe jashtë institucioneve”.