Anulimi i votave nga Serbia përplas partitë shqiptare, përfshihet edhe Vuçiqi

Ndryshimi që prodhoi anulimi i votave nga Serbia në mandatet e partive politike ka rikthyer akuzat mes subjekteve. Lëvizja Vetëvendosje, së cilës iu hoqën tre deputetë pas vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, është kritikuar se me ankesën e ushtruar në Gjykatën Supreme po ia bën avokatin Listës Serbe.

Kjo e fundit nuk ka deponuar ndonjë ankesë, por është presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, i cili e ka quajtur lojë të brendshme nga të gjitha partitë në Kosovë kundër VV-së, shkruan sot “Koha Ditore”.

Këtë e ka bazuar në atë se votat e anuluara nuk kanë kurrfarë efekti në rezultatin e Listës Serbe, pasi ky subjekt i ka siguruar të gjitha 10 vendet e garantuara. Pjesë të skenarit Vuçiqi e ka bërë edhe Lidhjen Demokratike me të cilën VV-ja është duke zhvilluar negociata për arritjen e koalicionit. Sipas Vuçiqit, skenari i votave të helmuara që erdhën në Kosovë u mendua të jetë kundër Albin Kurtit e të fuqizohej Vjosa Osmani.

“Ata bënë një lojë të brendshme. Edhe po t’i anulojnë katër deri në pesë mijë vota nga Serbia nuk do të ndikonte në Listën Serbe, e cila fitoi dhjetë vende. Nuk ishte Lista Serbe shënjestra, por duhej të dëmtohej imazhi i Serbisë dhe për të ndryshuar përbërjen në parlament, sepse nëse hyn NISMA, numri i vendeve të Kurtit do të zvogëlohet, dhe atëherë LDK-ja në bllok mund të ketë më shumë sesa Kurti, duke imponuar në këtë mënyrë kandidatin e tyre kryeministër, Vjosa Osmani”, ka thënë Vuçiqi.