“ATA QË DO TË VIJNË PAS NESH, DO TË DUHET T’I GJEJNË SHENJAT TONA”

Kosovë, urime 12 vjet shtetësi.

Republika e Kosovës sot kremton 12 vjetorin e shtetësisë, një rrugëtim i shkurtër, por një histori e gjatë.

Brezi ynë që po rritet e zhvillohet në epokën e lirisë e pavarësisë, duhet të ndjehet shumë krenar, sepse Republika e Kosovës është pengu më i shtrenjtë i shumë gjeneratave para nesh që luftuan e sakrifikuan, por nuk mundën ta shijojnë këtë që ne sot po e përjetojmë.

“Ne do të luftojmë, por nëse nuk e presim lirinë, ata që do të vijnë pas nesh, do të duhet t’i gjejnë shenjat tona”, thoshte kolosi Hasan Prishtina dhe këto fjalë profetike të tij tingëllojnë shumë aktuale edhe në këtë ditë festive.

Të jetosh në një shtet të pavarur e sovran , do të thotë të përjetosh lirinë e atdheut tënd, por edhe të mbash gjallë kujtimin për heronjtë dhe veprimtarët e shumtë të çështjes kombëtare.
Para 12 vjetëve Kosova e shpalli shtetësinë e saj dhe kjo ditë ishte vetëm vazhdimi i përpjekjeve shekullore të popullit tonë për të jetuar i lirë, si gjithë popujt e civilizuar të botës.

Shteti i Kosovës nuk ishte dhuratë që na jepej. Mbi të gjitha ishte fryt i luftës heroike të UÇK-së dhe angazhimit diplomatik e ushtarak të bashkësisë ndërkombëtare, në krye me SHBA-të. Në histori ndodhin rrallë luftëra të tilla të kombinuara, por Kosova dhe populli i saj tash më kanë hy në librat e historisë, ku mësohet përvoja e një populli që mosnënshtrimin ndaj okupatorit serb e mbështeti te forca e vet dhe te solidariteti i botës së qytetëruar, në krye me SHBA-të.

Sot kur kremtojmë 12 vjetorin e shtetit të pavarur e sovran të Kosovës, në mendje dhe në zemër na kumbon amaneti i Jasharëve dhe mijëra çlirimtarëve të luftërave tona të reja e të vjetra, për ta bërë atdheun tonë të fuqishëm ndaj aspiratave grabitqare të jashtme dhe neglizhencave tona të brendshme.

Uroj që shtetndërtimi sa më efikas i Kosovës të jetë frymëzim i institucioneve ligjzabtuese, kurse aspirata evropiane e jona të jetë moto që do të nxiste një zhvillim më dinamik e përmbajtësor në të gjitha fushat.

Kosovë, urime ditën e shtetësisë!

Autori është trashëgimtar dhe përfaqësues i trungut familjar të kolosit Hasan Prishtina.

Comments are closed.