Banka Gjermane për Zhvillim (KfW) mbështet me 5.5 milionë euro projektin për eliminimin e ujrave të zeza në jugperëndim të Kosovës

Në kuadër të bashkëpunimit financiar Gjermani- Kosovë, sot kryeshefi ekzekutiv i KRU Gjakova, Ismet Ahmeti, nënshkroi marrëveshje të veçantë me Bankën Gjermane për Zhvillim KfW, për financimin e projektit për eliminimin e ujërave të zeza në jugperëndim të Kosovës – Faza V dhe VI.

Me këtë marrëveshje, kompanitë e ujësjellësit të tri qyteteve të rajonit të Dukagjinit, Gjakovës, Pejës dhe Prizrenit, përfitojnë një kontribut financiar -donacion prej rreth 5.5 milionë euro, thuhet në një njoftim për media nga KRU Gjakova.

“Përmes këtij kontributi financiar do të financohen aktivitetet e mëposhtme të projektit:
•Riparimi, rehabilitimi dhe punët ndërtimore të kanalizimeve në ato pjesë të qyteteve që do të lidhen me impiantet e trajtimit të ujërave të ndotura të ekzekutuar në fazat e mëparshme të programit;
•Investimet në rrjetin e ujit atmosferik në ato pjesë të qyteteve që do të lidhen me impiantet e trajtimit të ujërave të ndotura të ekzekutuar në fazat e mëparshme të programit;
•Pajisjet për mbledhjen e të dhënave për GIS;
•Pajisjet për mirëmbajtjen parandaluese (të tilla si mjetet e thithjes dhe pastrimit të kanalizimeve ose pajisje për inspektimin e kanalizimeve)”, thuhet në vazhdim të këtij njoftimi.

Me këtë rast, kryeshefi ekzekutiv i KRU Gjakova, Ismet Ahmeti, ka falënderuar përzemërsisht Qeverinë Gjermane dhe Bankën Gjermane për Zhvillim KfW për këtë donacion.

Ai është zotuar se edhe ky projekt do të implementohet me përkushtim të lartë nga KRU Gjakova.

/Gazeta Evropa/

Loading...