Barça dhe Interi në kërkim të fitores së parë

Barcelona sonte (e mërkurë) e pret skuadrën e Interit në Ligën e Kampionëve me synim që ta shijojë fitoren e parë në këtë garë pas një fillimi jo të mirë në La Liga, por edhe në Ligën e Kampionëve. Ndryshe nga Barcelona, Interi e ka nisur në mënyrë shumë të mirë edicionin e ri në Serinë A, por në ndeshjen e parë të grupeve ka zhgënjyer duke luajtur baras me Slavia Prague (1-1).

Luis Suarezi ka shënuar gol në fitoren e fundjavës ndaj Getafes dhe ka pasur paraqitje të mirë, prandaj pritshmëritë e Barçës nga sulmuesi Suarez janë të mëdha pasi Ousmane Dembele dhe Leo Messi janë në dyshim. Spanjollëve iu mungojnë edhe Ansu Fati, Samuel Umtiti dhe Jordi Alba. Një lojtar që ka nevojë për një paraqitje të madhe është Antoine Griezmann, i cili ende nuk është adaptuar në skuadrën e Barcelonës që prej transferimit nga Atletico Madridi.

Trajneri Antonio Conte e ka të gjithë skuadrën në dispozicion për këtë ndeshje dhe nga fillimi pritet të luajë qendërmbrojtësi Diego Godin, i cili gjatë verës iu bashkua Interit nga Atletico Madridi. Në Grupin F ndeshja tjetër është në mes të Slavia Pragues dhe Borussia Dortmundit, kurse edhe këto dy klube janë në kërkim të fitores së parë.

Këndelljen në Ligën e Kampionëve e kërkon edhe skuadra kampione e Evropës, Liverpool. “Reds” është paraqitur mirë në ndeshjen e parë ndaj Napolit, por në fund ka pësuar humbje. Kjo skuadër sonte e pret në “Anfied” skuadrën e Salzburgut nga ora 21:00, derisa në orën 18:55 takohen Genk – Napoli.