Basha sulmon Ramën: Kriminale të mbyllësh media e të kërcënosh nga mëngjesi në darkë

Lideri i demokratëve Lulzim Basha ka sulmuar kryeministrin Edi Rama në lidhje me mbylljen e një medie të njohur online (JOQ)  si dhe kërcënimet ndaj gazetarëve.

Përmes një postimi në rrjetin social, Basha i cilëson si kriminale ‘kërcënimet nga mëngjesi deri në darkë të gazetarëve’ si dhe shton se prokuroria do duhet të nisë hetimet mbi akuzat e rënda dhe veprimet absurde që kryeministri ka ndërmarrë ndaj medias.

“Të shfrytëzosh këtë fatkeqësi për të mbyllur portale, faqe fb e rrjete të tjera sociale dhe të kërcënosh gazetarët nga mëngjesi në darkë vetëm pse janë kritikë me qeverinë dhe sjellin zërin e qytetarëve të lënë në harresë dhe pa asnjë ndihmë, është kriminale. Kjo është mënyra për të mbytur zërin e qytetarëve dhe të vërtetës që vjen përmes medias dhe portaleve të ndryshme. Prokuroria duhet të nisë menjëherë hetimet për dhunimin e fjalës së lirë nga qeveria. Me Kushtetutë dhe ligj kjo përbën një krim të rëndë që duhet ndëshkuar”, shkruan Basha.