BBC: I mrekullueshmi Vokrri, rritja e futbollit të Kosovës

Transmetuesi publik britanik, BBC i ka kushtuar një artikull të veçantë rritjes së futbollit të Kosovës, që sipas tyre, ka ardhur falë ish-presidentit të Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri.

Vokrri, që ndërroi jetë vitin e kaluar, ishte personi më vendimtar në fushatën e Kosovës për t’u njohur nga organet më të larta të futbollit ndërkombëtar. “Fjala ‘mrekulli’ u dëgjua tërë ditën e gjatë. Mbase këta mijëra njerëz që i mbushin rrugët e Prishtinë sapo e kanë parë një tjetër. Ishte shtatori i vitit 2016 kur Kosova e luajti ndeshjen e parë garuese në futbollin ndërkombëtar”, shkruan BBC. Të shtunën, rekordi i përkryer i Kosovës me 15 ndeshje pa humbje, vazhdoi edhe ndaj Republikës së Çekisë (2-1). Kjo është ecuria më e gjatë pa humbje në Evropë (momentalisht).

BBC ndër të tjera përmend shanset e mëdha të Kosovës për t’u kualifikuar në Euro 2020 – çfarë ndryshimi për pak muaj krahasuar me kualifikimet e Botërorit 2018. Që një vend kaq i ri dhe me kaq telashe në zemër të Ballkanit të shkëlqejë në skenën më të madhe të futbollit, nuk ishte ëndrra e vetëm një njeriu. Por është një figurë e cila adhurohet këtu më shumë se të gjithë, tregimi i të cilit ndihmon në shpjegimin e prejardhjes së ekipit të tij të veçantë.

Ai ishte vendimtar në fushatën e Kosovës për t’u njohur si një vend i futbollit, dhe ai është hero në vendin e vet. Pas vdekjes së tij vitin e kaluar në moshën 57-vjeçare, stadiumi i ekipit kombëtar mori emër të ri për nder të tij: ”Stadiumi Fadil Vokrri”. Si e shumë njerëzve të tjerë këtu [në Kosovë], edhe jeta e Vokrrit ishte mes luftërave e cila ndodhi para 20 viteve në këtë tokë. Megjithatë, hakmarrja dhe anti-hakmarrja dhe tensionet mes shqiptarëve dhe serbëve ende ekzistojnë (përmendet rasti i dronit në ndeshjen Serbi – Shqipëri). Por Vokrri ishte ndër shumë të paktët – për të mos thënë i vetmi – i cili qe në gjendje të komunikonte në ndarjet e thella që kushtuan shumë jetë. Futboll ishte gjuha e tij.

Kur ai u bë presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, gjithçka nisi nga zeroja. Zyra e tij ishte një banesë dydhomëse në Prishtinë, kishte dy tavolina dhe dy kompjuterë. Kjo ndodhi saktësisht më 16 shkurt 2008. Kosova e shpalli pavarësinë të nesërmen. Vokrri ishte në krye të një federate që nuk pati asnjë para. Ai e kishte një ekip kombëtar pa të drejtë për të luajtur ndeshje zyrtare, në një vend të izoluar me pak infrastrukturë. Por çfarë kishte ai ishte reputacioni i tij. Ai ishte futbollisti më i madh që e ka prodhuar Kosova – edhe pse ky epitet mund të sfidohet së shpejti nga gjenerata e re premtuese e talenteve që po lindin.

Vokrri ishte magjepsës, tërheqës dhe bindes. Ai dhe sekretari i përgjithshëm Eroll Salihu ishin njerëzit për të cilët vendi kishte nevojë të bënin fushatë.

“Kur ne biseduam në shtëpi në atë kohë, në fillim babai im mendoi se procesi do të ishte i lehtë”, thotë djali i madh i Vokrrit, Gramozi, 33 vjeç. “Tani ne jemi njohur si një vend, do njihemi shumë shpejt edhe ne, mendoi ai. Ai shpejt e kuptoi se do të ishte gjithçka tjetër por jo e lehtë, por ai nuk mendonte në atë mënyrë”.

Gramozi tani jeton në Prishtinë. Kur ishte i ri, ai shpesh shoqëronte babanë e tij dhe ndihmonte në punën e tij. Ashtu si babai i tij, ai është shumë i njohur në kryeqytetin e Kosovës. Biseda ndërpritet çdo pesë minuta pasi shokët dhe të njohurit ndalojnë ta përshëndesin. Disa qëndrojnë shumë më gjatë. Midis tyre janë zyrtarë qeveritarë, agjentë futbolli dhe ish gjeneralë në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

“Babai im kurrë nuk bëri një deklaratë politike në jetën e tij dhe u përqendrua vetëm në futboll. Futbolli është më i lartë se gjithçka tjetër – ky ishte vizioni i tij”, thotë ai. “Kjo e lejoi babanë tim të ndihmonte në arritjen e qëllimit tonë – hyrjen në Uefa dhe Fifa”, përfundoi Gramoz Vokrri.