Bylbyl Sokoli tregon nëse ka aderuar në Vetëvendosje

Trajneri i njohur, Bylbyl Sokoli, ka thënë se lajmet që ai është bërë pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje janë vetëm spekulime dhe se nuk ka asgjë të vërtetë në to.

Ai është njëri ndër personalitetet në sport që flet më së shumti për temat që e lidhin sportin me politikën, si bashkimin kombëtar dhe krijimin e një Kombëtareje të vetme.

Shkaku i këtyre deklaratave, për Sokolin shpeshherë është raportuar për përfshirjen e tij në parti politike, së fundi duke u thënë se është anëtarësuar në Lëvizjen Vetëvendosje.
Megjithatë, Sokoli e mohoi një lajm të tillë në emisionin sportiv “Favorit” në T7, përderisa e theksoi edhe një herë angazhimin e tij për tema si bashkimi kombëtar.

“Është biseduar gjatë, por mendimi im është që pedagogët, trajnerët dhe ekspertët e dalluar nuk duhet të jenë anëtarë të partive politike, nuk duhet të ngjyrosen politikisht. Kjo nuk do të thotë se ata nuk mund të jenë këshilltarë apo ministra, siç e kemi rastin te Rozeta Hajdari”, ka thënë Sokoli.

“Duhet t’i shfrytëzojmë ekspertët në lëmi të ndryshme. Por, biseda ka pasur, por kjo nuk është e vërtetë. Qëndrimet e mia nuk ndryshojnë, unë ende mbetem për kauzën e bashkimit kombëtar, si të gjithë shqiptarët”.

“Mendoj që sporti është i përshtatshëm për realizimin e qëllimeve, synimeve tona shekullore. Por, këto janë vetëm spekulime të mjeteve të informimit. Asgjë nuk ka prej kësaj”, ka sqaruar Sokoli.

Comments are closed.