Challandes: Duam fitore dhe vendin e parë në grup

Kosova do të përballet me Maltën nesër në mbrëmje prej orës 18:00, në një ndeshje mjaft të rëndësishme për pozicionin final të tabelës së renditjes, ndaj do të kërkojë të dalë me 3 pikë nga Valleta.

Trajneri Bernard Challandes vlerësoi edicionin e Kosovës deri në këto momente dhe bëri thirrje për kujdes dhe një sforcim të fundit, për të kurorëzuar gjithçka me sukses dhe për të mbyllur edicionin e parë të Nations League, në krye të grupit.

“E filluam këtë edicion për të bërë paraqitje sa më të mira dhe jam i kënaqur me atë që kemi dhënë deri tani. Në këtë pikë po shohim se kemi shanse reale për ta mbyllur edicionin në vendin e parë të grupit, ndaj u kam kërkuar lojtarëve përqendrim, për të marrë maksimumin. E dimë se nuk do të jetë e lehtë ndaj Maltës, por ne jemi përgatitur që fillimisht të bëjmë një ndeshe të mirë dhe të shpresojmë të marrim 3 pikët”, deklaroi Challandes.

Trajneri zviceran i Kosovës u pyet edhe për situatën e futbollistëve të dyzuar mbi zgjedhjen e përfaqësueses, ndonëse u mundua të shmangë komentet për emra të përveçëm si ai i Ardian Ismailit.raporton.GazetaExpress

“Ka shumë lojtarë që mund të luajnë për Kosovën, por që kanë njëkohësisht edhe opsione të tjera. Ne duam që kur ata të vendosin të luajnë për Kosovën, të mos kenë asnjë dyshim për zgjedhjen e tyre”, tha Challandes.

Në të njëjtën linjë me trajnerin zviceran ishte edhe mesfushori Hekuran Kryeziu, që theksoi rëndësinë e këtij takimi, duke kërkuar që vetëm pas sfidës me Maltën, të mendohet për ndeshjen ndaj Azerbajxhanit në Prishtinë.

“Ne e dimë rëndësinë e këtij takimi dhe jemi përqendruar maksimalisht. Vetëm pas këtij 90-minutëshi, do të mendojmë për ndeshjen me Azerbajxhanin. Bashkë me trajnerin, e kemi studiuar me kujdes Maltën dhe e dimë që do të jetë e vështirë, por kemi ardhur këtu për të dhënë më të mirën, me shpresën për të marrë maksimumin”, deklaroi Kryeziu.