“Contour Global” tërhiqet nga “Kosova e Re”, shkak edhe Qeveria Kurti

Kompania “Contour Global” ka planifikuar të tërhiqet nga planet për ndërtimin e Termocentralit “Kosova e Re” me kapacitet 500 megavatë.

1.3 miliardë euro ishte vlera e investimit të jashtëm për termocentralin “ Kosova e re”.

E në saje të këtij investimi, ishte paraparë të punësohen mbi 10 mijë persona gjatë ndërtimit. Ndërsa, 500 të përhershëm.

Siç raporton “Reuters”, sipas një njoftimi të “Contour Global”, arsye për këtë është se kompania nuk e ka ndërmend të ndërtojë projekte me thëngjill në të ardhmen. Si arsye ka përmendur edhe ndryshimet politike që kanë ndodhur në Kosovë.

“Projekti Kosova e Re nuk mund të ecë përpara. Situata politike në Kosovë që nga korriku, formimi i një qeverie të udhëhequr nga një kryeministër që e kundërshtoi publikisht projektin dhe mosveprimi i qeverisë e kanë bërë të pamundur që projekti t’i përmbushë detyrimet e kërkuara”, thuhet në një njoftim për media nga “Contour Global”, duke shtuar se: “Siç kemi thënë në të kaluarën, Kosova duhej të ishte projekti ynë i fundit me qymyr. Ne nuk do të zhvillojmë termocentrale qymyri në të ardhmen”.

Qeveria e Kosovës ka nënshkruar në fund të vitit 2017 marrëveshjen komerciale me kompaninë amerikane “Contour Global” për ndërtimin e Termocentralit Kosova e Re me kapacitet 500 megavatë, i cili do të kushtonte 1.3 miliard euro. Ndërtimi i Termocentralit Kosova e Re është kundërshtuar në vazhdimësi nga përfaqësues të shoqërisë civile, të cilët e konsiderojnë si projekt të dëmshëm për mjedisin dhe thonë se do të çonte në rritje të çmimit të rrymës për qytetarët.

Termocentrali Kosova e Re ishte paraparë të fillojë së ndërtuari këtë vit, ndërsa të vihet në punë në vitin 2023. Kosova ka më shumë se 10 miliardë tonë thëngjill dhe si e tillë është vendi i pestë në botë për nga sasia e këtij resursi, por, me gjithë pasurinë e linjitit, Kosova vazhdon të përballet me mungesë të energjisë elektrike.

Comments are closed.