Deputeti i VV’së: Shuma e borxhit ndaj Devollëve, e barabartë me krejt pagesat e 170 eurove për qytetarët

Sipas deputetit Hekuran Murati, me kalimin e projektligjit me ndryshime të buxhetit, do të ndahen miliona euro në adresa tjera, edhe pse Qeveria thirret në pagesat për punëtorëve, sipas pakos emergjente.

Me vendim të Gjykatës Themelore të Prishtinës do të bëhet përmbarimi i borxhit prej 24.6 milionë euro, që Telekomi i ka mbetur z-Mobile’it, pasi në vitin 2016, kompania e Devollit e ka fituar një rast në Arbitrazh.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, që është kryetar i Komisionit për Financa, thotë se shuma e borxhit që po e kërkon kompania e biznesmenit Blerim Devolli nga Telekomi, është e barabartë me shumën e gjithë pagesave që do të bëhet për punëtorët e sektorit privatë që nuk kanë marrë paga gjatë muajit prill.

Shkrimi i plotë i Muratit:

Dhe ja, pagesa e parë nga “pakoja e rimëkëmbjes” pritet të shkojë për Devollin.
Prandaj PDK nuk e kishte problem ta votojë rishikimin e buxhetit “me gjithë defektet e shumta”.

Sa për krahasim, shuma prej rreth 25 milionë euro që po i kërkohen Telekomit, është e barabartë me komplet shumën për pagesat prej 170 eurove për qytetarët.

Siç edhe e kam thënë atë ditë në seancë kur po votohej rishikimi i buxhetit, këtyre as që u bën për qytetarin. Por po mundohen që në emër të ndihmave nga 170 euro për qytetarët të kalojnë edhe qindra miliona tjera që do t’i ndajnë mes vete.

Pas kësaj, pritet që me “pakon e rimëkëmbjes” ta ndihmojnë edhe Contour Globalin me 20 milionë euro.

E qytetarët vazhdojnë të presin se do të ndihmohen me pakon e rimëkëmbjes…

Comments are closed.