Djali i kryetarit historik të Istogut, Ilir Ferati po synon Kuvendin

Ilir Ferati, i cili është djali i ish-nënkryetarit të LDK-së dhe kryetarit shumëvjeçar të Istogut, Fadil Ferati, do të jetë kandidat i LDK-së për deputet të Kuvendit të Kosovës.

Fadil Ferati ishte nënkryetar i LDK-së dhe kryetar i Komunës së Istogut për disa mandate, dhe njihet si një ndër të rrallët Kryetar komunash që nuk ka humbur asnjë palë zgjedhje. Ai vite më parë ka ndërruar jetë dhe mbetet njëri nga figurat më të dashura në Istog dhe LDK.

Iliri, i cili këto zgjedhje garon për deputet për herën e tij të parë, ka mbaruar studimet në dy drejtime, Menaxhment dhe Politika Publike, pranë Universitetit Amerikan ne Kosove (AUK). Ai, aktualisht po ndjekë studimet master në politika publike.

Iliri, i cili po synon një ulëse në Kuvendin e Kosovës, është anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së dhe anëtar i kryesisë së degës së LDK-së në Istog. Njëherësh, aktivitetin e tij profesional e zhvillon në Drejtorinë për Zhvillim Ekonomik në Komunën e Istogut.