Edhe Postës së Kosovës i bllokohen xhirollogaritë

Administrata Tatimore e Kosovës(ATK), ia ka bllokuar sot xhirollogaritë Postës së Kosovës pa asnjë paralajmërim për borxhet e vitit 2018 e 2019.

Në komunikatën e lëshuar nga Posta e Kosovës thuhet se me këtë veprim të njëanshëm, ATK-ja ka ndërprerë shërbimet dhe operimet e Postës së Kosovës, e cila ofronë shërbime konsumatorëve çdo ditë në rreth 140 zyra postare në të gjitha komunat e Kosovës.

“ATK-ja ka lënë pa paga mbi njëmijë punëtorë të Postës së Kosovës dhe e ka vendosur këtë ndërmarrje publike në pozitën më të rëndë në këtë kohë pandemie. Posta e Kosovës, ka kërkuar disa herë nga Qeveria t’ia zbatojë humbjet mbi 5 milion euro nga Shërbimi Universal Postar, të konfirmuara nga ARKEP-i, Auditori i Jashtëm, Gjykata Themelore dhe Përmbaruesi. Andaj, Bordi i Përkohshëm i Drejtorëve dhe Menaxhmenti i Postës së Kosovës, shprehin shqetësim të jashtëzakonshëm, si dhe kërkojnë urgjent nga Kryeministri Hoti dhe Qeveria si aksionari i vetëm i saj, që t’i kthejë borxhet që ka ndaj Postës së Kosovës, duke e mundësuar shlyerjen e menjëhershme të obligimet tatmore ndaj ATK-së”, thuhet në njoftim.

Comments are closed.