Fatmir Rexhepi tregon pse nuk e votoi qeverinë Hoti

Pavarësisht faktit që kishin lidhur koalicion një muaj më herët, pak orë para fillimit të seancës për votimin e qeverisë, nuk dihej saktë nëse Avdullah Hoti i kishte votat e mjaftueshme për t’u zgjedhur në krye të ekzekutivit. Kundërshtitë brenda LDK’së dhe deklarimi i Haxhi Shalës së NISMA’s se nuk do të votojë ‘pro’, kishin ngritur shumë pikëpyetje.

Megjithatë Hoti mori 61 votat e nevojshme për t’u ulur në karrigen e të parit të qeverisë edhe përkundër faktit që atë nuk e votuan as disa nga deputetët e partisë së tij.

Në seancë nuk kishin marrë fare pjesë Vjosa Osmani dhe Haxhi Avdyli, derisa një prej figurave me jetën më të gjatë politike në LDK, Fatmir Rexhepi, ka abstenuar në momentin kur është hedhur në votim Qeveria Hoti.

Ish-ministri i Punëve të Brendshme në një bisedë për Gazetën Express ka thënë se vendimin për të abstenuar e ka marrë mbi bazën e një vlerësimi të tij politik, teksa ka rikujtuar kontributin e tij 30 vjeçar në partinë e themeluar nga Ibrahim Rugova.

“Ishte një vlerësim i imi politik dhe mbi bazën e atij vlerësimi unë kam marrë qëndrimin. Unë jam personalitet që 30 vjet kam një autoritet timin në LDK, një kontribut timin sado të vogël që kam mundur me e dhanë nga dita e parë”, ka thënë Fatmir Rexhepi për Gazetën Express.

Rexhepi thotë se është e drejtë e secilit zyrtar të LDK’së të thotë mendimin e tij, por thekson se si deputet në Kuvendin e Kosovës nuk i nënshtrohet dhe as nuk i detyrohet askujt.

Ai thotë se abstenimi i tij është si rezultat i një vlerësimi korrekt.

“Jam një njeri që vendosi në bazë të vlerësimeve pak ma tradicionale, pak më korrekte. Se çfarë thonë njerëzit e partisë, qofshin nënkryetarët qofshin deputet tjetër është çështje e tyre. Mu nuk më obligojnë, as nuk i detyrohem, si përfaqësues i zgjedhur në Kuvend, unë i detyrohem me respektua autoritetin që e përfaqëson një deputet në të mirën e vendit dhe të LDK’së”, ka shtuar ai.

Derisa nuk ka pranuar që të flasë rreth situatës brenda partisë dhe deklarimeve të kreut të Gjilanit se nuk i beson qeverisë Hoti.

“Nuk e di të them të drejtën se si ka rrjedhë situata në kryesi të partisë, unë aty nuk jam”, ka thënë Rexhepi.

Rexhepi nuk kishte përkrahur as mocionin e LDK’së për rrëzimin e qeverisë Kurti dhe kishte qenë kundër prishjes së koalicionit me Lëvizjen Vetëvendosje. Qëndrim të ngjashëm kanë pasur edhe Haxhi Avdyli e Vjosa Osmani.

Comments are closed.