Gara për Kryetar të LDK-së, a do të kandidojë Haki Rugova?

Po vazhdon edhe më tej gara për Kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Deri më tani jozyrtarisht ambicie për të parin e partisë kanë shprehur shumë anëtarë të saj nga garda e vjetër dhe e reja, por pak nga ta janë shprehur publikisht se e duan karrigen e Isa Mustafës.

Lutfi Haziri është njëri ndër ta. E, nënkryetari i moçëm i partisë Haki Rugova në një bisedë për Gazetën Express nuk e ka përjashtuar as veten nga kjo garë.

Tashmë kanë filluar zgjedhjet e brendshme në partinë më të madhe opozitare në vend. Kryetari aktual i LDK-së i cili ende nuk ka kontretizuar nëse e do edhe një mandat, Isa Mustafa, ka potencuar se zgjedhjet po zhvillohen në frymë demokratike.

Por fokusi i këtyre zgjedhjeve ka rënë te personat që do t’i hyjnë garës për kryetar të partisë. Nënkryetarët e partisë po flasin me rezerva kur po pyeten se a do të shpallin kandidaturën.

Një përgjigje të tillë e dha sot Haki Rugova.
“Derisa nuk përjashtohet mundësia për askënd, të gjithë e kanë të drejtën të kandidojnë”, tha Rugova.

Shtoi se nuk ka di se kush tjetër do t’i hyjë kësaj gare. Madje i pyetur nëse ka dijeni se ish-kryetari i LDK-së Fatmir Sejdiu mund edhe të fitojë edhe një tjetër mandat.

Rugova u përgjigj: “Njerëz të dëshmuar ka.. kësaj pyetje i përgjigjem pas procesit të parë”.

Ndryshe, Rugova shtoi se procesi i parë i zgjedhjeve të brendshme në LDK pritet të përfundojë në fund të muajit maj pastaj do të organizohet kuvendi qendror.

Rugova shpreson që pasi të vijë momenti i shkuarjes në zgjedhje të reja nacionale, LDK të dalë fitimtare dhe të formojë qeverinë.

“Jam i interesuar që partia të ecë përpara pavarësisht kush do të jetë në krye të saj…LDK po del e para, pretendojmë që LDK në zgjedhjet e ardhshme të jetë e para dhe ta formojë qeverinë”, përfundoi Rugova.

Comments are closed.