Gashi thotë se taksa e vendosur nga ish-qeveria Haradinaj i ka sjellë dëme Kosovës

Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Arben Gashi, ka vlerësuar se taksa është përdorur si mjet politik nga qeveria e kaluar.
Sipas tij taksa 100 për qind i ka sjellë dëme politike Kosovës në raport me bashkësinë ndërkombëtare.

Ai ka thënë se Qeveria e Kosovës është duke shqyrtuar heqjen e taksës, dhe vendosjen e reciprocitetit, duke mos i penguar sërish bisedimet e ndërmjetësuara nga bashkësia ndërkombëtare, veçanërisht nga ShBA-ja.

“Në të gjitha raportet ku Serbia nuk e njeh Kosovën, Kosova nuk do ta njohë Serbinë” ka deklaruar Gashi në tryezën e diskutimit “Dialogu Kosovë-Serbi: Çfarë pas formimit të Qeverisë së re dhe përfshirjes amerikane?”, e cila është organizuar nga KDI-ja.
Në terma konkret, sipas tij, reciprociteti do të zbatohet ndër të tjera lidhur me kodin ndërkombëtar tregtar, certifikatat e sigurisë ushqimore/fitosanitare, automjetet e transportit dhe arsimin.

Ndërsa, lidhur me reciprocitetin politik në raport me lobimin e Serbisë, ai ka folur për garancat e plota të bashkësisë ndërkombëtare për ndaljen e kësaj fushate të Serbisë, pa përjashtuar veprimet tjera analoge që mund të ndërmerren.

Comments are closed.