Gjykata Speciale e fton për intervistim edhe një ish- ushtar të UÇK-së

Ish-pjesëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nga Fortesa e Rahovecit, Durmish Gashi, ka njoftuar se sot ka marrë ftesë nga Gjykata Speciale për t’u intervistuar, raporton Gazeta Evropa.

Durmishi, këtë lajm e ka bërë të ditur përmes një postimi në llogarinë e tij në “Facebook”, ku ka shkruar se ftesa nga Specialja i ka ardhur në ditëlindjen e nipit të tij, Andinit.

Postimi i Gashit pa asnjë ndërhyrje:

Më vie keq që sot, në vend të urimit për ditëlindjen e Andinit ( djalit të vëllait tim ), më duhet të shkruaj këtë njoftim për ftesën e ardhur në emrin tim nga Gjykata Speciale për t’u intervistuar, ashtu siç pranuan e po pranojnë çdo ditë ftesa të tilla shumë bashkëluftëtar të UÇK- së.
Jam krenar që i takoj gjeneratës e cila gjithë jetën luftoi sundimin serb ndaj trojeve shqiptare, fillimisht në organizimet ilegale të kohës , e më pas i rreshtuar në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës në shtabin lokal të Fortesës, në Brigadën 124 “Gani Paçarizi” si dhe pranë Zonës Operative të Pashtrikut si zv. Komandant për ndërlidhje deri në përfundim të luftës. Shumë prej tyre kanë rënë dëshmorë për liri e bashkim kombëtar, ashtu siç ishte edhe betimi i ushtarit të UÇK-së.
Do të duhej që shumë kohë më parë , gjyqi të iu bëhej atyre që vranë e masakruan me qindra e mijëra shqiptar të pafajshëm gjithandej në Kosovë por edhe në Rahovec, Fortesë, Krushë të Madhe, Celinë, Krushë të Vogël, Qëndresë, Hoqë e Vogël, Brestoc, Apterushë, Senoc, Rudinë (Pastasel), Ratkoc, Rogovë, Zatriq, Pataqan i Ulët dhe i Epërm e ky varg vazhdon në pafundësi. Ende kemi shumë të vrarë e të pagjetur nga kriminelët serb, por deri më tani nuk u dënua askush për krim, gjenocid dhe pastrim etnik nga forcat okupatore serbe.
Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka qenë dhe do të mbetet krenaria e popullit tonë!
Me respekt, Durmish F. Gashi

Loading...