Glauk Konjufca zbulon prapavijën e mosmarrëveshjeve VV-LDK për ndarjen e “kulaçit”

Glauk Konjufca, njeriu i dytë më i votuar në VV, mbrëmë në emisionin Pressing të Televizionit 7, foli për mosmarrëveshjet mes VV-së dhe LDK-së lidhur me ndarjen e pushtetit për qeverisje të ardhshme. Konjufca deklaroi se marrëveshja mes Albin Kurtit dhe Isa Mustafës nuk u arrit pasi LDK-ja kushtëzoi marrëveshjen me postin e Presidentit që do ta zëvendësojë Hashim Thaçin.

Ai u shpreh se dy partitë u dakorduan që ministritë të ndahen pesë me pesë dhe që LDK-ja të zgjedhë e para. VV-ja nuk u pajtua as me zgjedhjen e parë të LDK-së për postet ministrore e që ishte Ministria e Punëve të Brendshme, premtim ky elektoral i partisë së Albin Kurtit, shkruan Gazeta Express

“Marrëveshja për koalicion nuk u lidh sepse Lidhja Demokratike e Kosovës e kushtëzoi marrëveshjen me pozitën e Presidentit”, është shprehur Konjufca në Pressing.

Tutje, Konjufca tha se VV-ja nuk e priste këtë kushtëzim.

“Ne nuk e kemi pritur këtë gjë sepse, siç e dini ju, këto zgjedhje kanë qenë zgjedhje parlamentare dhe pas konstituimit del qeveria nga Kuvendi dhe pozita e presidentit është diçka krejt tjetër”, ka thënë Konjufca.

“Pozita e presidentit është krejtësisht e pavarur”, shtoi Konjufca.

Konjufca tha se edhe pse kanë dalë fitues të zgjedhjeve kanë bërë kompromise që të lidhin koalicion me LDK-në.

“Ne kemi bërë shumë kompromise që të qeverisim së bashku me LDK-në”, tha Konjufca.

“Faktikisht jemi të zhgënjyer me fazën e dytë të negociatave. Në pjesën e parë ishim shumë të kënaqur dhe kaluam shumë mirë. Kemi mbi 30 faqe të shkruara detajisht për programin qeverisës. Është një program shumë i detajuar se çka do të bëjmë”.

“Ne bëmë një kompromis dhe lejuam që Isa Mustafa të zgjedhë i pari ministrinë që dëshirojnë. Ata zgjodhën pikërisht MPB-në”, u shpreh Konjufca në Pressing.

Ai tha se VV-ja ka propozuar ndarjet ministrore në mënyrë të barabartë, por Presidenti të jetë i padiskutueshëm.

“Ky është kompromisi ynë. Ndarja e ministrive 5 me 5 dhe kryeministri për kryeparlamentarin. Presidenti i padiskutueshëm”.

Po ashtu, Konjufca ka thënë se dy anëtarë të VV-së do të jenë pjesë e Kryesisë së Kuvendit pasi që i takojnë sipas Kushtetutës së Kosovës.

Ai ka thënë se gjatë negociatave për marrëveshjen e koalicionit, Vetëvendosja nuk ia ka kërkuar Lidhjes Demokratike të Kosovës 7 ministri në këmbim të postit të presidentit.

“Nuk ia kemi kërkuar LDK-së 7 ministri në këmbim të postit të presidentit”, është shprehur Konjufca.

Ndryshe, LDK-ja dhe VV-ja nuk arritën të lidhin një marrëveshje të hënën për koalicion qeverisës pasi që LDK-ja kërkoi Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe postin e presidentit.