Hajredin Kuçi: Nuk do jem ai i para 10 vjetëve

Hajredin Kuçi nga Partia Demokratike e Kosovës, ka folur për arsyet e rikthimit të tij në jetën politike konkretisht nisjen e rrugëtimit si kandidat për deputet në Kuvendin e Kosovës.

Kuçi në Zonën Zgjedhore në “Klan Kosova” ka thënë se deri tani ishte i angazhuar në PDK por vetëm si vrojtues politik kurse tani projekti i liderit të këtij subjekti për qeverinë e ardhshme, e shtyu atë t’i futej garës për deputet.

“Unë kam qenë i ekspozuar përballë mediave, përndryshe ka qenë vendim i PDK-së. Jam krenar për atë pjesë të jetës. Ka qenë pjesa më dinamike jo vetëm e imja dhe e PDK-së por dhe e zhvillimeve politike të Kosovës”.

“Unë i takioj një gjenerate që s’jemi zhgënjyer nga Kosova edhe kur ka qenë Millosheviqi unë nuk zhgënjehem lehtë. Unë nuk jam nga ata njerëzit që politikën e kam jetë a vdekje – se kam deri në fund të jetës e them edhe sot. Kam menduar që vjen një moment që duhet të lëshojë një radhë. Kam menduar që pas një kohe do të vijë një gjeneratë tjetër që do t’i kryente punët me rëndësi”.

“Kanë qenë tri momente që jam aktivizu se unë po e quaj prej një aktivi në politik kalova në një vrojtues aktiv të politikës. Sikur qe e thotë Platoni ”Jam qenie politike si çdo njeri tjetër”, nuk kam qenë as i interesuar ndonëse kam bërë aktivitet brenda partisë, por kam qenë i eksponuar nga mediat. Nuk do të jem ai i para 10 vjetëve sepse as vet Kosova nuk është e tillë. Kanë qenë disa momente që kam menduar që disa zhvillime që presin Kosovën, përmbylljen e dialogut me Serbinë dhe disa çështje të tjera që ka të bëjë me demokratizimin e vendit – europianizimi i Kosovës ka nevojë për eksperiencën time”.

“Ka qenë një moment kur PDK po bënë reforma rrënjësore për të mos thënë po bënë transformim bukur të dukshëm. Edhe kandidimi i Kadri Veselit që të jetë kandidat për kryeministër dhe secili prej nesh do të jap kapacitetet e tij. Jo vetëm kandidimi i Kadri Veselit por edhe projekti për qeverinë e ardhshme të Kosovës ka qenë një nga shtytësve që të jem pjesë e këtij procesi . Unë do të jem kësaj radhe ai që do ta ruaj interesin e qytetarëve të Kosovës”.