Haradinaj: Jemi unik si kurrë më parë, veri e jug, Kosova e Shqipëri

Kryeministri i Qeverisë së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se “të bashkuar s’ka tërmet që na ligështon”.

Këto komente, Haradinaj i ka bërë sot gjatë ceremonisë për dekorimin e pjesëtarëve të FSK-së dhe Policisë së Kosovës, të cilët kanë marrë pjesë në operacionin e kërkim- shpëtimit të personave të ngujuar në objekte të rrënuara nga tërmeti në Shqipëri, raporton Gazeta Evropa.

Në këtë ceremoni, i pranishëm ishte edhe presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta.

Gjatë fjalimit të tij, Haradinaj ka falënderuar të gjitha shtetet që i dolën në ndihmë Shqipërisë.

“Në ditët më të vështira erdhën në ndihmë fqinjët e pare. Dhe kjo është një dëshmi që jemi të rreshtuar në anën e duhur. Dëshiroj të falënderoj të gjitha kombet që ndihmuan. Pasi i qajtëm e i varrosëm viktimat, tani nis beteja për të gjallët. Ne jemi unik si kurrë më parë, veri e jug, Kosova e Shqipëri, pushtet e opozitë për njerëzit në nevojë. Ne kemi reaguar si shtet, me njësitë e kërkim -shpëtimit”, ka thënë Haradinaj.

Po ashtu, Haradinaj ka thënë se mënyra se si Kosova u doli në ndihmë vëllezërve shqiptarë, i bën krenarë të gjithë ata që jetojnë këtu.
“Të njëjtën ditë janë nisur njësitet e Trepçës, kompanitë për mirëmbajtjen e rrugëve e të tjera. Shumë kosovarë kanë hapur dyert për vëllezërit e tyre shqiptarë”, ka thënë Haradinaj.

/Gazeta Evropa/