Haziri: Me daljen nga LDK do dëmtohet Vjosa Osmani, jo partia

Kosova në datën 14 shkurt do të zhvillojë zgjedhjet parlamentare dhe të gjitha forcat politike janë në terren në përpjekje për të siguruar votën e elektoratit.

Për të treguar më shumë për fushatën dhe synimet e LDK-së, Euronews Albania bisedoi gjatë me nënkryetarin Lutfi Haziri, i cili është edhe kryetari i bashkisë së Gjilanit. Ai pranoi publikisht se LDK-në e pret përpara një fushatë e vështirë elektorale.

“Çdo proces zgjedhor ka vështirësitë e veta, sfidat dhe problemet që sjell procesi zgjedhor në përgjithësi, por ajo që është vështirësi për LDK-në është të qenit në qeverisje. Pas rezultatit të 6 tetorit pas bashkëqeverisjes me Vetëvendosjen, që zgjati 50 ditë ne ndërtuam qeverisjen e pakicës me shumë probleme dhe sfida në politikë”,-rrëfen nënkryetari Haziri.

Shumë e kanë kritikuar këtë lëvizje të LDK-së si të pamoralshme, por kryetari i Gjilanit nuk e mendon kështu.

“Ne nuk kishim alternativë tjetër dhe qeverisja e zotit Hoti është ndërtuar si opsion i vetëm meqenëse ne si forcë e dytë e dalë nga zgjedhjet duhet të ndërtonim qeverinë”,- thotë kryetari i Gjilanit.

Ish-bashkëpunëtori i LDK-së në qeverisë e formuar pas zgjedhjeve të 6 tetorit 2019, ish-kryeministri Albin Kurti është shprehur se:

“Lidhja Demokratike e Kosovës është një forcë që nuk duhet marrë seriozisht”, por ky etiketim i bërë nga lideri i VV-së nuk mund të konsiderohet si i vërtetë për nënkryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

“Në fakt ne jemi të njohur me ndryshimet e zotit Kurtit sa i përket edhe LDK-së, por edhe çështjeve të tjera politike. Tani jemi në një garë politike dhe fjalori politik e qëndrimet bëhen për konsum politik, ndërsa ne nuk jemi parti e tillë”, shprehet Haziri.

Për z. Haziri, largimi i zonjës Osmani është humbje e madhe për të dhe jo për partinë.

“Do dëmtohet vetë zonja Osmani në kontekstin e gjatë politik dhe jo LDK-ja, se ajo do vazhdojë të jetë në politikë”,- thotë Lutfi Haziri.
Teksa iu referohet sondazheve dhe perceptimit publik, Lufti Haziri thotë se Lidhja Demokratike e Kosovës është kandidate potenciale për të dalë fituese në zgjedhjet e 14 shkurtit.

“Unë dhe zoti Hoti do marrim përgjegjësinë dhe do të bëhem gati për të fituar, pasi sipas sondazheve tona jemi në garë për të dalë fituese”,- tregon nënkryetari i LDK-së.

Comments are closed.