Haziri: Nëse Vetëvendosja hyn në bashkëqeverisje me qëllimin për ta ‘blu’ LDK-në, e ka shumë gabim

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje nëse hyn në bashkëqeverisje me LDK-në me qëllim që ta “bluajë”, atëherë gabon rend, raporton “Epoka e re”.

Sipas Hazirit, një gjë të tillë e kishte provuar edhe Partia Demokratike e Kosovës, por që dështoi ta realizonte. “Nëse LVV hyn në bashkëqeverisje me qëllimin për ta ‘blu’ LDK’në, e ka shumë gabim. Raporti duhet të ndërtohet me mirëbesim dhe me korrektësi maksimale”, ka shkruar Haziri në profilin e vet në “Facebook”.

Postimi i plotë i Lutfi Hazirit:

PDK, në asnjërën prej tri fazave të saj, prej uniformave me armë, demobilizimit me kravata e këmisha të katërta (teget), e deri në qeverisje, e sofistikuar dhe e organizuar mirë, nuk ka mund të shkatërrojë LDK, ani pse këtë e ka pas qëllim kryesor.

Tash, nëse LVV hyn në bashkëqeverisje me qëllimin për ta ‘blu’ LDK’në, e ka shumë gabim. Raporti duhet të ndërtohet me mirëbesim dhe me korrektësi maksimale. Unë jam për një marrëveshje qeverisëse 4+, për t’i zgjidhur problemet e mëdha me Serbinë dhe problemet e brendshme me funksionimin e ligjit.
Kryeministrja apo kryeministri i ardhshëm duhet të jetë i të gjithë qytetarëve dhe linçimet dhe arroganca e çfarëdo natyre, nuk duhet me pas vend në asnjë mënyrë!