Historia treshekullore e Mullirit të Bërdynajve: Miell, konak dhe shumë zemërgjerësi

Ndonëse sot më tepër shërben si një monument i rrallë i arkitekturës vendase që pëlqehet nga vizitorët, Mulliri i Bërdynajve – që ndodhet në fshatin Radavc të Pejës – dikur shërbente si një objekt solidar i nevojave të rajonit ku ndodhej.   

I ndërtuar nga materiali prej guri, realizim i mjeshtërve popullorë me përvojë të përkujton teknikën e realizimit të kullave dukagjinase.

Pasardhësi i familjes që e ka ndërtuar mullirin, Qerim Bërdynaj ka theksuar se ky objekt ka shërbyer jo vetëm për bluarje, por ka qenë edhe objekt solidar i nevojave të këtij vendi.

Kjo “kullë – mulli”, sipas Bërdynajt thuhet se është ndërtuar para 300 viteve, njëkohësisht është ndër më të njohurit në të gjithë Kosovën.

“Deri në vitin 1960, kanë punuar tri mullinj, por kur dolën mullit me rrymë atëherë njerëzit filluan me u largu. Këtu kanë bluar, që unë i mbaj mend, prej rajonit të Skenderajt, Drenasit, Sanxhakut, Bjellopoljes e deri të Pazari i Ri, etj. Unë i mbaj mend kur kanë ardhur prej Malit të Zi, nëpër grykën e Zhlepit, me 40 ose 50 kuaj në Pejë, ku e blenin drithin, e bluanin këtu edhe ktheheshin prapa. Ato quheshin karvane, të cilat ishin të gjata 100 ose 200 metra. Derisa është bluar drithi karvanet është dashur të presin 2 ose 3 ditë, derisa të dy mullinjtë i kanë pasur dhomat për fjetje”, ka shtuar Qerimi Berdynaj.

Pasardhësi i familjes Bërdynaj ka thënë se ata historikisht janë ndër familjet më të njohura në Dukagjin, ku dalloheshin për urtësinë, ishin punëtorë dhe nuk e kanë prekur sipas tij, djersën e huaj.

“Zot shtëpie ka qenë Tahir Lush Bërdynaj, për të cilin ka shkuar edhe akademik Mark Krasniqi. Sa ka qenë gjallë Tahiri kur nuk i ka lënë të bluajnë në mulli meshkujt e tij, sepse është frikësuar nga ujemi (kompensimi) që ata mund ta marrin, me të vetmin qëllim që mos me shti haramin në shtëpi e me e humb bereqetin.

Sipas tij, nga ky mulli janë furnizuar të gjitha grupet ballistë, e më vonë, në luftën e fundit, edhe ushtarët e UÇK-së.

Ai ka theksuar se mulliri është ende funksional, duke e pasur funksionin që e ka kryer ndër vite, por që njëkohësisht sipas tij, shërben edhe si vend që vizitohet nga turistë të shumtë. /Telegrafi/