Holanda kërkon sqarime shtesë nga Komisioni Evropian për vizat për Kosovën

Procesi i liberalizimit të vizave për Kosovën po vazhdon të mos finalizohet pavarësisht faktit që Komisioni Evropian (KE) ka rekomanduar heqjen e vizave për qytetarët e saj. Kjo pasi disa shtete anëtare të Bashkimit Evropian (BE) po hezitojnë ta mbështesin liberalizimin për Kosovën.

Në mesin e këtyre shteteve gjendet edhe Holanda. Zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Holandës kanë bërë të ditur për “Zërin” se kanë kërkuar sqarime shtesë nga KE-ja sa i përket përmbushjes së kritereve nga ana e Kosovës, të specifikuara në Raportin e Komisionit.

Duke mos pohuar se e mbështesin liberalizimin e vizave për Kosovën, nga Ministria e Punëve të Jashtme e Holandës kanë thënë për gazetën “Zërin” se për shtetin e Holandës është me rëndësi që nga Kosova të plotësohen të gjitha kushtet e vëna nga Bashkimi Evropian.

“Propozimi i Komisionit Evropian për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës është duke u shqyrtuar në Këshill. Holanda është e angazhuar për procesin e liberalizimit të vizave. Në të njëjtën kohë është e rëndësishme për Holandën që të gjitha kushtet e vëna të plotësohen në mënyrë të qëndrueshme”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Në këtë drejtim sipas tyre Holanda ka kërkuar nga KE-ja që t’i sqarojë edhe më tej disa pika të Raportit, ndonëse Komisioni veçse ka rekomanduar liberalizimin e vizave për Kosovën.

“Prandaj Holanda ka kërkuar nga Komisioni të sqarojë më tej disa pika në raport”, potencohet më tutje.  

Loading...