Hoxhaj: Reciprociteti, provokim ndaj aleatëve tanë

Ish-zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj, ka reaguar ndaj vendosjes së masës së reciprocitetit nga Qeveria e Kosovës, ndaj Serbisë.

Hoxhaj, përmes një shkrimi në Facecook, ka thënë se reciprociteti i vendosur nga Albin Kurti është provokim ndaj aleatëve tanë.

Ai gjithashtu ka kritikuar Kryeministrin Kurti se reciprociteti që ai ka vendosur është gjysmak dhe fiktiv, dhe veç i bën dëm Kosovës.

Deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj, gjithashtu ka thënë se Albin Kurti duhet të ndal planet e tij egoiste dhe të rrezikshme, sidomos në raport me Shtetet e Bashkuara, por edhe me partitë parlamentare në Kosovë.

Hoxhaj, potencoi se vendimi i marrë për reciprocitetin është marr me paqartësi politike, pa koordinim me aleatët strategjikë dhe pa ndonjë përfitim ndërkombëtar për Kosovën.

“Një vendim i tillë nuk sjell asgjë në aspektin politik dhe ndërkombëtar për Kosovën, përveç plotësimit të egos së z. Kurti dhe krijimit të një situate të rreme në skenën politike në vend të cilën ai synon ta abuzojë politikisht.” ka shkruar Hoxhaj ndër të tjera.

Shkrimi i plotë i Enver Hoxhajt në Facebook:

“Kryeministri dhe qeveria e vetë-dorëzuar përballë sfidave dhe e shkarkuar nga papërgjegjësia e saj, e largoi taksën për mallrat nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina. Ky vendim është marr me paqartësi politike, pa koordinim me aleatët strategjikë dhe pa ndonjë përfitim ndërkombëtar për Kosovën. Ideja fillestare e taksës ishte që Serbia të ndalonte fushatën kundër njohjes së Kosovës. Një kushtëzim i tillë nuk është se nuk e kishte përkrahjen amerikane.

Albin Kurti, që nga formimi i qeverisë së re e deri një javë më parë, ka ngurruar të heqë taksën në koordinim me Uashingtonin. Në vend të kësaj ai provokoi me dashje një krizë politike artificiale që rezultoi më shkarkimin e tij. Vendimin që mori dje në terr të natës dhe në terr të përgjegjësisë për heqjen e taksës, e shoh si provokim, tani në raport me aleatët tanë dhe me të gjitha forcat politike parlamentare në Kosovë.

Një vendim i tillë nuk sjell asgjë në aspektin politik dhe ndërkombëtar për Kosovën, përveç plotësimit të egos së z. Kurti dhe krijimit të një situate të rreme në skenën politike në vend të cilën ai synon ta abuzojë politikisht. Ai mori një vendim politik nga i cili nuk ka fituar asgjë Kosova. Ai hoqi dorë pa rezultat nga taksa dhe pa koordinim me amerikanët. As nuk e ndali fushatën e Serbisë kundër njohjes së Kosovës, as nuk arriti anëtarësimin në ndonjë organizatë ndërkombëtare dhe asnjë përkushtim nuk e nxori për marrjen e liberalizimit të vizave.

Albin Kurti premtoi të vendos një reciprocitet të plotë politik, ekonomik dhe tregtar. Por ai nuk e bëri këtë. Ai aplikoi një lloj gjysmë reciprociteti të paqartë dhe fiktiv që vetëm do të dëmtojë Kosovën ndërkombëtarisht dhe do ta bëjë Serbinë të duket viktimë.

Pjekuria politike e një qeverie nuk matet me fjalë të forta dhe pëlqime në rrjete sociale. Ajo ka të bëjë me aftësinë dhe mënyrën për të zgjidhur çështje të caktuara në interes të vendit. Kur situata politike është e ndërlikuar, nuk është në rregull që qeveria e shkarkuar ta komplikojë atë edhe më tej. Por, kjo po ndodhë! Reciprociteti i rrejshëm dhe gjysmak nuk i sjell asgjë Kosovës. Aq më tepër, rrezikon përkrahjen amerikane për Kosovën! 

Albin Kurti duhet të ndal planet e tij egoiste dhe të rrezikshme, sidomos në raport me Shtetet e Bashkuara, por edhe me partitë parlamentare në Kosovë. Ato po dëmtojnë pozicionin tonë në bashkësinë ndërkombëtare dhe kohezionin tonë shoqëror dhe demokratik.

Comments are closed.