Ja kur pritet të votohet projekligji në lexim të dytë, i cili mundëson tërheqjen e 10% nga Trusti

Ministri i Ekonimisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi, ka thënë se pako e rimëkëmbjes ekonomike është pjesë e programit të qeverisë Hoti 2020-2023, por se nuk mund të zbatohet nëse nuk votohet Projektligji për rimëkëmbje ekonomike.

Ai thotë se lajmi i mirë është se ka kaluar në lexim të parë dhe prej që brenda dy javësh të miratohet edhe në lexim të dytë.

Ai ka kërkuar nga deputetët ta votojnë së pari ligjin, e pastaj të merren me mocionin për rrëzimin e qeverisë.

“Kjo kalon retoriken që ka të bëjë me pozitë e opozitë, për mua është e pakuptimtë të mos votohet ky ligj. Rrëzimi i qeverisë është e dorës së dytë në krahasim me votimin e këtij ligji”, ka thënë Kuçi në REPORTERI/INTERVISTA.

“37 milionë euro i kanë përfituar rreth 15.745 biznese në fazën e parë, pastaj pagesa e dyte në vlerë 16 milionë e 424 mijë euro për 11 mijë biznese edhe dje 1857 biznese diku 1.8 milionë euro. 55 milionë euro i kanë marrë bizneset vetëm brenda 3 dite”, ka thënë ai.

Ministri ka treguar se zgjedhja e bizneseve është bërë përmes disa kritereve, e ku kryesori ka qenë numri i të punësuarve në muajin dhjetor të vitit të kaluar.

Ai ka treguar më tej se diku rreth 385 milionë euro mund të shkojnë për biznese të disa kategorive, varësisht nga miratimi i ligjit apo jo.

“Ligji na mundëson me programin e rimëkëmbjes ekonomike që deri në fund të vitit 2021 të ndahen 1.2 miliardë euro, ka edhe ndihma kredi, donacione tjera që përfshinë pako e rimëkëmbjes”, ka treguar ministri Kuçi për Reporteri.net.

I pyetur se a i ka qeveria Hoti votat që ta votojë Projektligjin për rimëkëmbje ekonomike në lexim të dytë, ministri Blerim Kuçi, ka thënë se beson që po.

“Problemi i votave në çdo qeveri ka qenë dhe ka me qenë, sepse sistemi zgjedhor ja pamundëson një qeverie me qenë stabile me vota. Po shpresoj që janë votat, të paktën është krijuar një ambient më i mirë për këtë ligj, por kemi humb kohë, por presim më shumë se 2 javë që ligji të kthehet në Kuvend, të kaloj në komisionet funksionale dhe të votohet. Mendoj që i kemi (votat)”, ka thënë Kuçi.

Comments are closed.