Jakup Krasniqi e bënë përrallë VV-në për votat e Serbisë

Dyshi i Nismës Socialdemokrate, Jakup Krasniqi, ka reaguar ndaj VV-së, e cila është ankuar në Gjykatë Supreme, pasi PZAP-i i anuloi votat e ardhura nga Serbia, raporton Gazeta Evropa.

“Është e frikshme, kur një parti ende pa u ulur në kolltukun qeverisës tenton ta grabisë vullnetin qytetarë me vota të huaja e të kontrabanduara”, ka shkruar Krasniqi në llogarinë e tij në “Facebook”.

Postimi i plotë i Krasniqit:

Të dashur qytetarë,

Vendimet e fundit të PZAP-së, janë vendime të mbështetura në Kushtetutë dhe në Ligjin për zgjedhjet e lira e demokratike. Në ketë frymë, pa asnjë mëdyshje është vendimi për largimin e votave të kontrabanduara nga Serbia. Futja e atyre votave në sistem nga KQZ-ja, ishin kryekrejt antiligjore dhe cenonin rënd vullnetin e qytetarëve të lirë të Kosovës.

Me vendimin e PZAP-së, nuk ka humbur asnjë parti politike që ishte pjesë e garës zgjedhore, por ka fituar demokracia dhe vullneti i lirë i sovranit i shprehur në zgjedhjet e lira të 6 tetor 2019.

Kësaj fitore demokratike e ligjore duhet t’i gëzohemi të gjithë dhe sidomos duhet t’i gëzohen partitë që në këto zgjedhje dolen të parat. Ato e kanë për obligim ligjor që t’i përmbahen ligjit dhe të bëhen gardian të ligjit e të demokracisë.

Është e frikshme, kur një parti ende pa u ulur në kolltukun qeverisës tenton ta grabisë vullnetin qytetarë me vota të huaja e të kontrabanduara.

NISMA Socialdemokrate nuk kërkon askujt t’i rrembej mandate, por as nuk do të pranojë grabitjen e mandateve nga askush, përkundrazi kërkon vetëm e vetëm vullnetin e lirë të sovranit që u shpreh më 6 tetor 2019.