Jo si “paramilitarë”! Ivica Daçiq është përfaqësues i denjët i shtetit që kreu gjenocid në Kosovë

Bardhyl Mahmuti

Pas mbledhjes së djeshme të Këshillit të Sigurimit, Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë Ivica Daçiq shkaktoi skandal të rëndë diplomatik kur fyeu rëndë diplomatët e shteteve perëndimore dhe ambasadoren e Kosovës.

Arroganca e Ivica Daçiqit ka mundur të befasojë ndonjë nga diplomatët e shteteve perëndimore që nuk e kanë ditur rrugëtimin politik të këtij “diplomati”. Kjo sjellje nuk paraqet asnjë befasi për ata që e dinë se Ivica Daçiq është kuadër politik i formuar dhe edukuar në frymën e njëjtë si të Sllobodan Millosheviqit; ai ishte person i privilegjuar i Sllobodan Millosheviqit, të cilit Kasapi i Ballkanit i kishte besuar funksionin e Zëdhënësit të Partisë së tij.

Në të gjitha funksionet që ka ushtruar, gjatë luftës dhe pas përfundimit të saj, Ivica Daçiq ka prezantuar në mënyrë më të denjët politikën e shtetit serb, sidomos është dëshmuar si zëdhënës i politikës së fshehjes së gjurmëve të gjenocidit kundër shqiptarëve në Kosovë.

Fatkeqësisht një gazetar, i cili nuk i posedon njohuritë e nevojshme teorike për implikimin e termit “paramilitar”, publikoi shkrimin e titulluar “Daçiq sillet si paramilitar kundër shqiptarëve në OKB…”. Këtë shkrim e kopjua tekstualisht edhe disa portale tjera në Kosovë. Në këtë mënyrë, në mënyrë të pavetëdijshme, shfajësojnë shtetin serb për skandalin që shkaktoi në Kombet e Bashkuara ministri i saj i punëve të jashtme!
Po e përsëris atë që kam shkruar disa herë rreth përdorimit të gabueshëm të termit “paramilitar”.

Nocioni “paramilitar”, qoftë kur i atribuohet një individi, qoftë kur i drejtohet një grupi, prezanton individin ose struktura jashtë forcave të armatosur të një shteti. Ky nocion është shndërruar në instrument të manipulimit me opinionin publik në funksion të fshehjes së përgjegjësisë së strukturave politike dhe ushtarake të një shteti në kryerjen e krimeve të caktuara, dhe pikërisht për këtë arsye propaganda serbe e futi në përdorim termin “paramilitar”.

Fshehja e krimit të gjenocidit të kryer në Kosovë nga forcat e armatosura serbe dhe drejtimi i gishtit te “grupet paramilitare” është pjesë e strategjisë së Serbisë për t’i ikur përgjegjësisë si shtet.

Si rezultat i propagandës së vazhdueshme të Beogradit për t’ua veshur krimin strukturave që gjoja nuk kanë qenë në kontrollin e shtetit serb, këtë mendim e kanë përqafuar si të vërtetë një numër i konsiderueshëm politikanësh në shtetet perëndimore (komunistë, socialistë, social-demokratë, të së djathtës të vjetër e të re, neonazistë e neofashistë) si dhe historianë e politologë, filozofë e sociologë, gazetarë e publicistë, të orientimit të djathtë e të majtë.

Fatkeqësisht edhe në diskursin tonë politik dhe mediatik nocioni “grupe paramilitare” ka zënë një vend të rëndësishëm, pa menduar për pasojat e mëdha që sjell përdorimi i këtij termi në shfajësimin e shtetit serb për krimin e gjenocidit.

Gjatë luftës në Kosovë nuk ka pasur “paramilitarë”. Çdo gjë ka qenë e kontrolluar në detaje. Gjenocidin në Kosovë e kreu Serbia përmes forcave të saja të armatosura me një zinxhir të qartë komandues nga institucionet politike, ushtarake dhe policore të shtetit serb.

Është e kuptueshme që pushteti i Serbisë, qoftë i kohës së Millosheviqit, i Tadiqit apo i Vuçiqit dhe Daçiqit, aplikon strategjinë e mohimit të krimit të gjenocidit të kryer në Kosovë. Gjithashtu është e kuptueshme përpjekja e tyre për të zhvendosur fajësinë nga shteti serb te “grupet paramilitare të pakontrolluara nga shteti serb”. Por, nuk është e drejtë që politikanë dhe gazetarë shqiptarë, në mënyrë të pavetëdijshme për pasojat që ka përdorimi i këtij termi, të përdorin nocionin “paramilitar”.

Fatkeqësia është edhe më e madhe kur nga padituria e asaj çka fshihet prapa përdorimit të këtij termi, duke përdorur cilësimin “paramilitarë” për ata që kanë qenë të përfshirë në krime dhe në fshehje të krimeve, politikanë dhe gazetarë mendojnë se i paraqesin edhe më të këqij.
Realisht është e kundërta. Në mënyrë të pavetëdijshme bëhet shfajësimi i shtetit që përpiloi, zbatoi dhe u përpoq të fshehë krimin e gjenocidit.

P.S.
Më gjerësisht për këtë çështje kam shkruar në shkrimin e titulluar “Nocioni ‘paramilitar’ si instrument i mohimit të gjenocidit”, të cilit i kanë dhënë një hapësirë të konsiderueshme e mediave në Kosovë.