Kelmendi: Kadri Veseli i ka hyrë luftës kundër korrupsionit me seriozitet të madh

Migjen Kelmendi, kandidat për deputet nga radhët e PDK-së, gjatë debatit të sontëm me analistë në televizionin publik, ka thënë se Kadri Veseli i ka hyrë luftës kundër korrupsionit me seriozitet të madh dhe me plane konkrete.

Ai tha se ky fenomen ka prekur të gjitha partitë që kanë qeverisur, si në nivelin atë qendror, ashtu edhe lokal, pra edhe LDK-në e Vetëvendosjen.

Kelmendi tha se PDK-ja ka filluar një reformë shumë domethënëse brenda saj, e cila po e vazhdon më tej.

Duke folur për temën e dialogut me Serbinë, Kelmendi tha se gjithmonë kur ka pasur bashkëpunim midis dy forcave të mëdha politike, PDK-së dhe LDK-së, proceset kanë ecur, ndërsa kur ato janë ndarë, Kosova ka ngecur.

“Dialogun e shoh si çështjen më domethënien më të madhe. Qëndrimi i PDK-së dihet, është Kushtetua e cila përcakton territorin. Dialogun me prezencën ë shtuar të SHBA-ve e shoh si një proces i cili nuk pres të kryhet shpejt. Pa një finalizim të dialogut nuk po mund ta rrumbullakësojmë procesin shtet-formues të Kosovës. Neve na duhet një parti që ka kredibilitet politik dhe lidership që guxon të marrë vendime dhe përgjegjësi dhe t’u prijë atyre proceseve. PDK-ja ka qenë gjithmonë prijëse e këtyre proceseve dhe as këtë proces nuk e shoh pa PDK-në”, theksoi Kelmendi.
Migjen Kelmendi e krahason Albin Kurtin me ‘djemtë e mahallave që ndryshojnë shenjat e rrugëve’

Gjatë debatit në RTK, Migjen Kelmendi, një nga prurjet e fundit në PDK, ka lëshuar akuza të ashpra në drejtim të Vetëvendosjes dhe kryetarit të saj, Albin Kurti.

Ai tha se në Vetëvendosje mungon mendimi kritik. Sipas tij, në ligjërimin e Albin Kurtit ka difekte, kundërthënie, mungesë argumentimi dhe për më tepër, keqinterpretim të realitit politik në Kosovë.

“Albin Kurti më ngjanë me djemtë e mahallave të cilët ua ndryshojnë drejtimet shenjave të rrugës, për të hutuar njerëzit. Loja e Kurtit me temat e mëdha, siç është bashkimi, flamuri, leku, e të tjera, po ma çon mallin e kryetarit legjendar të Partisë së Fortë. Por kur po e shoh rininë që nuk po qesh dhe atë që e ka përnjëmend, atëherë këtë po e shoh shqetësuese”, theksoi Kelmendi.

Ai shtoi se Vetëvendosjen e sheh si konsekuencë e sistemit arsimor në Kosovë.

Ndërkaq duke folur për Vjosa Osmanin, Migjen Kelmendi tha se nuk bëhet fjalë për një ‘Merkel’ siç po prezantohet, por për një kandidate si produkt i një pazari të brendshëm brenda LDK-së, e cila në fakt, sipas tij, autoritetin e vet brenda partisë e ka ndërtuar në konflikt me kryetarin e saj.