Kosnett përkujton sulmet e 11 Shtatorit: Reagimi nga Kosova vërteton lidhjen e thellë që ekziston ndërmjet dy popujve tanë

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett, në fjalën e tij gjatë ceremonisë në përkujtim të sulmeve të 11 Shtatorit ka thënë se sot është ditë zymtë për amerikanët.

“Në vendin tonë dhe anembanë botës, sot i përkujtojmë dhe mbajmë zi për pothuajse 3000 të pafajshëm që humbën jetën atë ditë”, ka thënë Kosnett.

Sipas tij, sulmet e 11 shtatorit ndodhën në tokën amerikane, por ato sulme patën ndikim kumbues në tërë bashkësinë ndërkombëtare, duke shtuar se amerikanët nuk ishin viktimat e vetme: në sulme vdiqën qytetarë nga 77 vende të ndryshme dhe duke vlerësuar se ky njëmend ishte sulm mbi civilizimin.

“E përkujtojmë vdekjen tragjike të viktimave; trimërinë dhe sakrificën e reaguesve të parë në Qendrën Botërore Tregtare dhe në Pentagon; si dhe guximin dhe shpirtin e udhëtarëve të Fluturimit 93 – qytetarë të rëndomtë amerikanë, përpjekja e suksesshme e të cilëve për ta rimarrë aeroplanin nga terroristët parandaloi edhe një humbje tjetër të madhe”, ka thënë Kosnett, thuhet në një njoftim të Ambasadës amerikane në Prishtinë.

Tutje Kosnett ka shtuar se amerikanët gjithmonë do ta përkujtojnë mbështetjen që Shtetet e Bashkuara të Amerikës e morën nga e tërë bota, e veçanti reagimin në Kosovë, të cilin e ka konsideruar si të menjëhershëm dhe të sinqertë.

“Pas sulmeve, anembanë Kosovës, njerëzit u mblodhën për të marshuar në mbështetje të Shteteve të Bashkuara, për të ndezur qirinj dhe për të dhuruar gjak. Disa kosovarë madje dolën vullnetarë për t’ju bashkuar ushtrisë amerikane për të luftuar në luftën globale kundër terrorizmit. Kjo shprehje spontane e përzemërt e mbështetjes vërteton lidhjen e thellë që ekziston ndërmjet popullit të Amerikës dhe atij të Kosovës. Ky partneritet i qëndrueshëm tejkalon çdo parti apo udhëheqës politik”, citohet të ketë thënë tutje ambasadori Kosnett.