Kryeparlamentari Konjufca takoi përfaqësuesit e sindikatave, temë e takimit edhe pagat

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, priti sot në takim kryetarin e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit Shkencës dhe Kulturës, Rrahman Jashari, kryetarin e Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, Blerim Syla dhe atë Sindikatës së Policisë së Kosovës, Valbona Kamberi, raporton Gazeta Evropa.

Drejtuesit e sindikatave të punëtorëve paraqitën shqetësimet e tyre lidhur me vonesën e ndërtimit të institucioneve të Kosovës, për pasojë të të cilës po rrezikohet miratimi i Ligjit për buxhetin e Kosovës për këtë vit dhe rrjedhimisht, pagat e mijëra punëtorëve të sektorit publik.

Ata e konsideruan të domosdoshme gjetjen e një zgjidhjeje për të mos ardhur deri te një situatë e tillë.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, duke bashkëndjerë me shqetësimet e sindikalistëve, theksoi se po punohet për ndërtimin sa më të shpejtë të institucioneve, duke i hapur kështu rrugë edhe miratimit të Ligjit për buxhetin.

Ai theksoi angazhimin e tij maksimal për të ardhur deri të një zgjidhje e cila do të evitonte rrezikun e mbetjes pa paga të punonjësve të sektorit publik.

Comments are closed.